​Ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar, në Kosovë nesër zbarkojnë njësi nga pesë vende të NATO-s

Aktuale

​Ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar, në Kosovë nesër zbarkojnë njësi nga pesë vende të NATO-s

Më: 20 maj 2023 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës nesër (e diel) do të mund të shohin nga afër një pjesë të njësive, pajisjeve dhe automjeteve të ushtrisë së vendit. Për herë të parë në Kosovë po organizohet dita promovuese e ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 23”.

Çdo gjë është gati për fillimin e ushtrimit që udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

Ceremonia zyrtare do të fillojë në orën 11:00, ndërsa Ejup Maqedonci, oficer me përgjegjësi primare për ushtrimin “Defender 23”, tregon se nga 13:40 do të hapet për qytetarë.

Në këtë ceremoni do të performojë edhe bendi muzikor i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Maqedonci: Gjatë ushtrimit ‘Defender 23’ Kosovën do ta vizitojnë 5 oficerë të lartë nga ShBA

“(Nesër) Do të jetë dita kur Forca e sigurisë së Kosovës do të prezantojë një pjesë të njësive të saj, pajisjeve dhe automjeteve në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Përveç Forcës së Sigurisë së Kosovës aty do të jenë edhe njësitë partnere që marrin pjesë në Kosovë kështu që do të kenë mundësi të shihen edhe njësitë pjesëmarrëse nga vendet e ndryshme, që do të jenë pjesë e ‘Defender Europe 23’... Do të kemi gjithashtu prezencë të ushtarakëve amerikanë që do të vijnë të na vizitojnë. Është për t’u theksuar që gjatë ushtrimit ‘Defender Europe 23’ do të kemi diku 5 oficerë të lartë, pra gjeneralë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të vizitojnë aktivitetet tona trajnuese”, thotë ai.

Kosova ka qenë nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2021, por sivjet Forca do të ketë pjesëmarrje më të madhe, me mbi 1300 pjesëtarë.

Ndërsa, janë mbi 300 pjesëtarë të njësive partnere që do të zbarkojnë bashkë me FSK-në në Babaj të Bokës të Gjakovës - vendi ku do të zhvillohet ushtrimi nga data 21 maj deri më 2 qershor.

Gjatë këtij ushtrimi do të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së, atij të regjimentit të parë.

Maqedonci: FSK do të validojë në nivel regjimenti një njësi për detyra të këmbësorisë

“Forca e Sigurisë së Kosovës, për herë të parë do të validojë në nivel regjimenti një njësi, e cila do të jetë e aftë për të realizuar detyra të këmbësorisë. Do të jetë validimi i elementëve të qëndrueshmërisë logjistike, që nënkupton do të validojmë transportin, furnizimin, mjekësinë dhe elementë të tjerë të qëndrueshmërisë logjistike”, thotë ai.

Babaj i Bokës dhe Aeroporti i Gjakovës janë lokacionet ku do zbarkojnë ushtarakët.

Gjithashtu, do të ketë njësi të FSK-së që do të zbarkojnë në vende të tjera, në kuadër të këtij ushtrimi, siç është Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kroacia.

Maqedonci: FSK në “Defender 23” do të marrë pjesë me mbi 1300 pjesëtarë

“Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë me mbi 1300 pjesëtarë të saj në të gjithë këto aktivitete, mirëpo fokusi kryesor gjithmonë do të jetë Babaj i Bokës ku ne do të zbarkojmë regjimentin e parë të këmbësorisë për ta validuar, për të qenë të gatshëm për të zbatuar detyrat në kuadër të misionit të tij. Gjithashtu do të kemi njësi që do t’i zbarkojmë në Aeroportin e Gjakovës që do të jenë kryesisht njësi të regjimentit të qëndrueshmërisë së komandës së logjistikes e që gjithashtu do të validohen në detyrat e tyre të mbështetjes logjistike për regjimentin që do të ekzekutojë ushtrimin në Babaj të Bokës”, thotë ai.

Maqedonci tregon se të gjitha përgatitjet janë bërë në bashkëpunim të ngushtë me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë, e cila është dislokuar në Evropë.

Maqedonci: Në Kosovë do të zbarkojnë njësi nga pesë vende të NATO-s

“Kësaj radhe në Kosovë do të zbarkojnë njësi nga pesë vende të NATO-s përveç pra pjesëmarrjes së Kosovës këtu, do të kemi njësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të kemi njësi ushtarake që do të vijnë nga Shqipëria, do të kemi njësi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, do të kemi gjithashtu ekipe që do të vinë nga Kroacia dhe Turqia për t’u bashkangjitur njësive tona në ushtrim. Numri do të kalojë mbi 300 pjesëtarë të njësive të partnere të ndryshëm që do të zbarkojnë bashkë me ne në Babaj të Bokës”, thotë ai.

Pse është ky ushtrim kaq i rëndësishëm e tregon kolonel Ejup Maqedonci.

Maqedonci: Defender 23 do të ketë operacionale luftarake

“Skenari (i ushtrimit) ka të bëjë me mbrojtje, do të jenë operacione luftarake që do të zhvillohen në te gjitha vendet ku zhvillohet ushtrimi ‘Defender Europe 23’ dhe ka synim përgatitjen luftarake të vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere me kërcënime konvencionale dhe jokonvencionale nga rreziqe të ndryshme që mund të vijnë nga vende të ndryshme”, tregon ai.

Objektivat e komandantit të FSK-së janë ndërveprueshmëria me partnerë, validimi i kapacitetit të këmbësorisë në nivel regjimenti dhe vlerësimi i kapaciteteve mjekësore të cilat ishin validuar në “Defender 21”.

Pjesë e “Defender Europe 23” janë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa ushtarakë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat