Kurti priti Osmanin: Të lumtur që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen me bashkëpunim

Aktuale

Kurti priti Osmanin: Të lumtur që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen me bashkëpunim

Më: 26 maj 2023 Në ora: 15:52
Foto nga takimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së.

Duke e quajtur këtë vizitë si një nder të veçantë dhe krenari, kryeministri Kurti tha se janë shumë të lumtur të konstatojnë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme po pasohen edhe me bashkëpunim, i cili po rritet, duke pasur parasysh që ministri Osmani siç tha kryeministri, ishte sot në cilësinë Kryesuesit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

‘’Ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtave të njeriut dhe sigurisë që janë vlerat themelore që po ashtu i ndajmë së bashku’’, deklaroi Kurti, duke falënderuar ministrin Osmani për kontributin që OSBE-ja e ka dhënë për demokratizimin në Kosovë dhe për Sigurinë e vendit tonë.

Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, e njoftoi Osmanin për të arriturat gjatë mandatit qeverisës në progresin ekonomik dhe demokratik, duke potencuar se në këto dy vjet qeverisjeje buxhetit i janë shtuar 740 milionë euro, ndërkaq ekonomisë 2.1 miliardë euro.

Në mesin e sukseseve, kryeministri vuri në pah edhe konsolidimin e financave të cilat e kanë ulur deficitin buxhetor dhe po ashtu edhe uljen e deficitit tregtar nga 1 me 9 në 1 me 6.

Kryeministri foli edhe për pjesëmarrjen në ushtrimet ushtarake ‘’Defender Europe 23’’ që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke potencuar se kjo është hera e dytë që jemi pjesëmarrës, dhe në të dy herët kemi qenë vend mikpritës. ‘’Këtë vit Kosova renditet e katërta për personelin ushtarak të angazhuar në këtë ushtrim nga 25 vende pjesëmarrëse’’, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministri Osmani, nën detyrën e kryesuesit të OSBE-së, falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe tha se është vërtet i kënaqur që kishte mundësinë që në kapacitetin e kryesuesit të OSBE-së sot të vizitojë Kosovën.

Teksa e uroi për arritjet impresive, e përgëzoi Kosovën në demokratizimin dhe integrimin gjinor. Në takimin e sotëm u theksua po ashtu edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, derisa sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, Osmani dha mbështetje.

“Njëkohësisht, shprehu falënderimin për bashkëpunimin e ngushtë që kanë pas në këto 20 vitet e fundit nëpërmjet institucionit të OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës, që kanë krijuar aq shembuj të mirë të këtij bashkëpunimi e që drejtpërdrejtë kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë në qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive.”, u bë e ditur në komunikatë.

Si ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani uroi Kosovën për kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është misioni më i madh i kësaj organizate. Ka gjithsej 5 qendra rajonale me staf prej 490 personave, prej të cilëve 2/3 janë staf lokal.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot u prit në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së. Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në terren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat