​Minxhozi: Situata në veri patjetër duhet të ç'tensionohet

Aktuale

​Minxhozi: Situata në veri patjetër duhet të ç'tensionohet

Më: 27 maj 2023 Në ora: 12:23
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi u deklarua rreth zhvillimeve të djeshme në veri të Kosovës, me ç’rast tha se situata patjetër duhet të ç’tensionohet.

"Kemi të bëjme me një situatë shumë të tensionuar në veri, e cila patjetër duhet ç'tensionuar, që do të ishte në interes të zhvillimit të dialogut dhe në interes si të Serbisë dhe të Kosovës, në mënyrë për t'i thirrur arsyejes dhe për të ecur përpara", tha Minxhozi.

Ndryshe, pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje (26 maj) nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.

Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat