Kurti mori pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë”

Aktuale

Kurti mori pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë”

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 17:58
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të mbajtur në Dubrovnik, titulluar “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë” (European Croatia: Retrospective & Prospective).

Atje, kryeministri Kurti ishte folës në panel, ku prezantoi para të pranishmëve progresin demokratik dhe ekonomik të Republikës së Kosovës, si dhe foli për zhvillimet e fundit dhe situatën aktuale në katër komunat në veri të vendit, duke dhënë një shpjegim kronologjik të ngjarjeve.

Ai u shpreh i lumtur që ndodhet në Kroaci, vend ky mik dhe aleat i Kosovës dhe me të cilën gëzojmë marrëdhënie të shkëlqyeshme dypalëshe.

Kroacinë e shohim si shembull i mirë i anëtarësimit të një shteti të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO, u shpreh kryeministri.

"Në lidhje me raportet me Serbisë, ai tha se Kosova dhe Serbia tashmë kanë një marrëveshje të dakorduar me njohje reciproke de-facto në qendër, një arritje kjo e madhe e BE-së, por që nuk po gjenë zbatim në praktikë për shkak të sjelljes destruktive të Serbisë. Me këtë rast, ai ritheksoi rëndësinë dhe nevojën e zbatimit të plotë, të shpejtë dhe të pa kushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.

Në këtë konferencë, Kryeministri Kurti riktheu në vëmendje propozimin e tij të mëparshëm për një model të ri të bashkëpunimit rajonal të quajtur SEFTA, sipas modelit aktual të EFTA-EEA, që do të shërbente si një baticë që ngre të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian", thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë, përcjell "Bota sot".

Ai po ashtu shtoi se Bashkimi Evropian duhet të mbrohet, dhe se i njëjti mund të reformohet dhe të zgjerohet në të njëjtën kohë.

Konferenca e cila u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë, ishte e organizuar nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian (S&D).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat