Sinani reagon pas arrestimit të kreut të Shtëpisë së Kulturës në komunën e Bujanocit

Aktuale

Sinani reagon pas arrestimit të kreut të Shtëpisë së Kulturës në komunën e Bujanocit

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 22:56
Ardita Sinani

Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit, Albin Kurti, ka reaguar pas arrestimit të kreut të Shtëpisë së Kulturës në komunën e Bujanocit, Jetmir Ismaili.

Sipas saj, situata ka qenë gjithnjë e qartë “për ata që kanë dashur të shohin, por edhe nëse kanë injoruar realitetin, Serbia sërish na e thekson”.

Ajo ka potencuar se më e papranueshme se kjo është iluzioni se Serbia ka ndryshuar.

“Imagjinoni, në shekullin XXI, vitin 2023, në kontinentin e Evropës, policia e Serbisë ka marrë në shtëpinë e tij në Nesalcë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës, Jetmir Ismailin dhe regjisorin e shfaqjes, Gani Veseli. Më e papranueshme se kjo është vetëm iluzioni i disave që besojnë se Serbia ka ndryshuar. Ajo është po ajo e njëjta që nuk duron asgjë shqiptare”, ka shkuar në Facebook ish-kryetarja e Preshevës.

Ndaj arrestimit të Ismailit ka reaguar edhe shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela.

Rasti është raportuar edhe nga portali “Preshevacom”, ku thuhet se Ismaili është duke u mbajtur në stacionin policore në Bujanoc.

“Sot policia serbe me urdhër të prokurorit kanë marrë në shtëpinë e tij në Nesalcë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës Jetmir Ismailin. Ai për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor në Bujanoc. Sipas familjarëve, ai është marrë në stacionin policor për tu intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptarë e që drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij nesër po në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat