​LVV vazhdon kritikat ndaj Borrell: Qasja e tij ndaj Kosovës është e padrejtë

Aktuale

​LVV vazhdon kritikat ndaj Borrell: Qasja e tij ndaj Kosovës është e padrejtë

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 10:27
Kurti- Borrell

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon kritikat ndaj ndërmjetësve të dialogut, në prag të takimit të mundshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel. Sipas partisë në pushtet, qasja e përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak është e padrejtë ndaj Kosovës.

Deputetja e mazhorancës, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për kp se Borrell dhe Lajçak po dëshirojnë ta dërgojnë dialogun në temat që i leverdisin presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Prandaj, sipas saj, ky i fundit përmes strukturave kriminale po krijon tension në veri në mënyrë që të nxjerr diçka prej këtyre situatave.

“Jam shumë e zhgënjyer dhe dëshpëruar prej qasjes që kreu i politikës së jashtme të BE-së ka treguar karshi krejt këtij procesi. Për mua vlerat e BE-së janë shumë më shumë përtej kësaj që ne kemi parë kohët e fundit, në veçanti me qasjen e pabarabartë që është treguar në raport me Kosovën dhe Serbinë... Tendenca e Vuçiqit ka qenë për të kthyer dialogun në drejtimin që ai ka dashur dhe për të kthyer në diskutim temat që atij i kanë konvenuar. Pak a shumë kjo ka qenë edhe ideja se si janë përpjekur edhe vet Brukseli të dërgojnë dialogun, por nuk ia kanë dal, në këtë moment që nuk ia kanë dal e kemi situatën që është krijuar në veri, pikërisht për shkak se edhe vet Vuçiq e kuptoi se dialogu i doli prej kontrollit dhe që nuk po mundet t’i arrijë kompromiset që po i dëshiron me kryeministrin Kurti. Andaj i është dashur të krijojë situata të tilla në mënyrë që të arrijë të nxjerr diçka prej këtyre situatave, por e ka të vështirë pasi ne nuk jemi duke bërë asgjë me atë që na lejon Kushtetuta dhe rendi juridik”, thotë ajo.

Sipas deputetes Kryeziu-Hyseni, ftesa për takim të nivelit të lartë në Bruksel është e vonshme.

Megjithatë, ajo shton se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në maksimum për deeskalimin e situatës në veri, por thekson se kjo do të varet edhe nga pala tjetër.

“Një takim i tillë është kërkuar nga kryeministri Kurti pak javë më parë dhe nuk është pranuar me arsyetimin se nuk na duhet se fillimisht duhet të de-eskalohet situata. Ndërkohë, ndonjëherë më e eskaluar nuk ka qenë situata, pra palët është dashur të takohen më herët që mos të vinte situata deri këtu ku jemi sot. Ftesa për këtë takim është e vonshme, pasi është dashur të pritet të kidnapohen tre zyrtarët policorë për të shkuar në Bruksel për të vazhduar dialogun ose për të gjetur një kompromis. Si mund të gjesh kompromis me një president që të kërkon të lirosh kriminelët, ndërkohë ti je në anën tjetër që kërkon të lirosh tre policë të pafajshëm të cilët i arrestove në territor të huaj duke kryer detyrën e vet zyrtare... Qeveria jonë me qasjen e saj që ka treguar deri tani do të arrijë të ndërtojë një situatë ndryshe prej asaj që kemi pa së fundmi. Por mos të harrojmë se kjo nuk varet vetëm prej Republikës së Kosovës, pasi është shumë e rëndësishme që të paktën faktori ndërkombëtar mos të drejtoj presionin kah Kosova dhe mos të fsheh apo mbulojë atë që Serbia po bënë në këtë rast”, thekson Kryeziu-Hyseni.

Duke folur për masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian po aplikon ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, ajo thotë se të njëjtat janë të padrejta.

“Këto mund të jenë masa që mund të vendosen në raport me Kosovën, por unë mendoj se BE-ja duhet të jetë i kujdesshëm në kuptimin se çfarë mase i vendos Kosovës dhe për çfarë. Ti mund t’i vendosësh masa një shteti për rritje të krimit të organizuar, kriminalitetit, autokracisë, mungesës së reformave, lirisë së shprehjes, e këto elemente me radhë, në të cilat Republika e Kosovës ka shënuar progres. Si mund t’i vendosesh sanksione apo masa një shteti që përgjatë kësaj periudhe dyvjeçare ka treguar progres të jashtëzakonshëm”, deklaron ajo.

Në anën tjetër, deputetja Kryeziu-Hyseni, thotë se tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe duhet të lirohen pa asnjë kusht.

“Ata po akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe po mbahen në njërën prej qendrave të paraburgimit në Serbi. Fillimisht janë akuzuar për terrorizëm, mandej ka rënë poshtë. Kemi pa që ka shumë të meta në vet aktakuzën që është ngritur ndaj këtyre tre zyrtarëve policorë. Ka mjaftueshëm arsye për të kuptuar se cila ka qenë tendenca e Serbisë për ( t’i rrëmbyer) këta persona. Këtu ka vetëm një arsye, (pasi janë rrëmbyer) që të krijohet kjo situatë që është krijuar sot, të eksalohet më shumë tensionet në veri”, thotë ajo.

Sipas kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme, situata në veri po dëshmon se Serbia asnjëherë s’ka qenë e gatshme për të shkuar drejt normalizimit të raporteve, aq më pak drejt njohjes reciproke.

Bashkimi Evropian po pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të pranojnë ftesën për takim në Bruksel, pa vendosur asnjë kusht. Kurti ka deklaruar gjatë së martës së është i gatshëm të shkojë në Bruksel, ndërsa Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të flasë me Kurtin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat