Zyrtari i MPB-së dyshohet se përfitoi 150 mijë euro nga një tender

Aktuale

Zyrtari i MPB-së dyshohet se përfitoi 150 mijë euro nga një tender

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 20:36
MPB

150 mijë euro dyshohet t’i ketë përfituar Adem Sopa, zyrtar i prokurimit në ministrinë e punëve të brendshme, duke ia mundësuar një operatori ekonomik që të fitoj tenderin për ndërtimin e objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Vlera e projektit është rreth 2.1 milionë euro.

Për këto dyshime, Sopa, bashkë me zyrtarin tjetër Bardhyl Behluli dhe zyrtarët e operatorit ekonomik, Naim Selmanin e Gëzim Hoti, u dërguan të martën në paraburgim.

“Personat zyrtarë dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe atë në një procedurë të tenderimit në njërën prej ministrive, duke marrë ryshfet. Ndërkaq në anën tjetër kemi dy përfaqësues të operatorit ekonomik të cilët poashtu janë ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit, e të njëjtit dyshohet ta kenë kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit”, ka thënë Laureta Ulaj – Zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.

Sipas informacioneve të siguruara nga Dukagjini, Sopa dyshohet se si zyrtar i prokurimit në MPB, i ka asistuar pronarit të kompanisë “Arbëri ShPK”, Naim Selmani, që ta plotësoj dokumentacionin e nevojshëm të aplikimit për tender.

Kështu, me t’u hapur aplikimet, kompania në fjalë konkurron dhe në fund shpallet fituese e tenderit.

Për miqësinë mes Sopës e Selmanit, prokurori i rastit ka theksuar se ekzistojnë edhe fotografi.

Dy të personat e tjerë dyshohen për marrje dhe dhënie ryshfeti.

Madje, sipas prokurorisë, zyrtari i MPB-së, Bardhyl Behluli, i cili ishte menaxher i kontratës që u bë objekt hetimi, kishte udhëtuar në Turqi bashkë me Gëzim Hotin dhe dy persona të tjerë, duke i pasur të gjitha shpenzimet e paguara.

Televizioni gjithashtu ka mësuar se Prokuroria prej nëntorit të vitit 2022 ka zbatuar masa të fshehta të hetimit për këta persona.

Rasti mund të zgjerohet edhe me arrestime të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat