​Kurti: Organet e drejtësisë duhet të merren me audio-incizimet e Kusari-Lilës dhe Simiqit

Aktuale

​Kurti: Organet e drejtësisë duhet të merren me audio-incizimet e Kusari-Lilës dhe Simiqit

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Kryeministri Albin Kurti i quajti “interpretime partizane”, publikimet e audio-incizimeve mes Mimoza Kusari Lilës dhe Slavko Simiqit. Sipas tij, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka interpretime. Po ashtu, ai theksoi se këto incizime janë të gjymtuara dhe redaktuara dhe shtoi se me ato duhet të merren organet e drejtësisë. Shefi i ekzekutivit tha se Qeveria e Kosovës ka zero varësi nga Lista Serbe.

Këto komente kryeministri i bëri në vënien e gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë.

Kurti: Shefja e grupit tonë parlamentar e ka për detyrë që të sigurojë sa më shumë vota

“Aty shefja e grupit tonë parlamentar dëgjohet disa sekonda, e shumë minuta ka interpretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vet për atë që po dëgjojnë, e që qartazi është një incizim, i cili i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të. Shefja e grupit tonë parlamentar natyrisht që jo vetëm që komunikon e bashkëbisedon me shefat tjerë të grupeve parlamentare, ajo e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsorizon Qeveria e Kosovës të përpiqet që të sigurojë sa më shumë vota, në mënyrë që sa më e madhe të jetë shumica atëherë kur një projektligj në Kuvendin e Kosovës bëhet ligj”, deklaroi Kurti.

Tutje, Kurti tha se qeveria që udhëheq ka zero varësi nga Lista Serbe dhe se, siç shtoi ai, ka luftë hibride nga Serbia kundër shtetit të Kosovës.

Kurti: Qeveria e Kosovës ka zero varësi nga Lista Serbe

“Ju e dini që Qeveria e Kosovës ka zero varësi nga Lista Serbe dhe kjo e ka bërë pushtetin tonë edhe demokratik edhe liberal edhe progresist, si asnjë tjetër në Kosovën e pavarur. Unë as që kam komunikuar, as jam takuar ndonjëherë me personin në fjalë, por edhe një herë ju lus të gjithëve të keni kujdes sa i përket kësaj lufte hibride, e cila bëhet nga Serbia kundër shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratik në Kosovë. Janë duke u përplitur si autokraci që janë në shtetin e fqinjit tonë verior, andaj po përpiqen që me xhirime, me incizime, me insinuata të ndryshme të shkaktojnë konfuzion tek opinioni publik në Kosovë. Mirëpo, populli jonë është edhe demokratik edhe i qëndrueshëm”, tha Kurti.

Teksa u pyet nga gazetarët për pohimin e Kusari Lilës e që ka biseduar me Milan Radoiçiqin, Kurti tha se nuk është takuar, por shefes së deputetëve të LVV-së i është lëshuar në interfor të telefonit të Slavko Simiqit.

Kurti: Nuk mund të thuhet se është takim

“Gjatë takimit që ajo ka pasur me shefin e Listës Serbe, kur ata ishin në kuvend e kur ata e kishin Goran Rakiqin ministër në qeveri, sepse është obligim kushtetues, aty asaj i është lëshuar në interfon të telefonit të Slavko Simiqit, gjë që nuk mund të thuhet se është takim. Andaj, unë edhe një herë po e theksoj që pushteti ynë është demokratik, shteti ynë është i pavarur dhe të gjitha këto sulme në kuadër të kësaj lufte hibride do të dështojnë”, theksoi ai.

Kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin dhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun vendosi gurthemelin e Qendrës Multifunksionale në Podujevë. Ai tha se kjo qendër do të ndihmojë të rinjtë që të kenë hapësira të përshtatshme për aktivitetet e tyre./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat