Hapet rast në polici ndaj personit që largoi gurin përkujtimor të Nënës Pashkë

Aktuale

Hapet rast në polici ndaj personit që largoi gurin përkujtimor të Nënës Pashkë

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 09:41
Ky gur ishte vendosur aty nga familjarët e Pashkë (Krasniqi) Markaj

Të premten në mesditë është hapur rast ndaj personit që e ka larguar nga prona e tij gurin përkujtimor për Nënën Pashkë.

Ky gur ishte vendosur aty nga familjarët e Pashkë (Krasniqi) Markaj – nëna që dogji veten pasi iu kthyen mbetjet mortore të djemve të saj të vrarë nga forcat serbe.

Mirëpo pronari i arës ku Nëna Pashkë ishte vetëflijuar dhe ku ishte vendosur guri, një javë më parë vendosi që ta largojë atë, kështu duke ngjallur reagime të shumta në vend.

Reagime pati edhe dje (e premte) kur në rrjetet sociale u shpërndanë fotografi, ku shihej se i njëjti gur ka përfunduar në mbeturina.

Tani ky gur përkujtimor është marrë në përkujdesje të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale si dhe Komunës së Gjakovës, i cili është dërguar pranë Memorialit të Martirëve në Mejë.

Të premten është hapur rast në Polici ndaj personit i cili e ka larguar gurin përkujtimor nga prona e tij. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se personi në fjalë po akuzohet për veprën penale “Vetëgjyqësi”.

“Është pranuar informatë se në lokacionin e cekur është lëvizur një guri përkujtimor i cili ishte i vendosur në pronën e të dyshuarit mashkull kosovar. Në lidhje me rastin është njoftuar  Agjencioni për Menaxhimin e Monumenteve Memoriale. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet më pastaj në raportin 24-orësh të PK-së.

Media po ashtu mëson se tani shteti e ka marrë përsipër që kësaj nëne që u vetëflijua për bijtë e saj, t’i ndërtohet një monument i mirëfilltë.

Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka bërë të ditur se kjo agjenci në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës kanë filluar me hartimin e projektit për ndërtimin e një lapidari.

Nëna Pashkë u vetëflijua në vitin 2003, pasi asaj iu kthyen mbetjet mortore të djemve të saj që ishin vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat