Kundërshtuan vendimin e Mitrovicës së Veriut, Bytyçi ‘shpërthen’ ndaj Borellit, Hovenierit dhe Stanos – hedh dyshime të forta mbi ta!

Aktuale

Kundërshtuan vendimin e Mitrovicës së Veriut, Bytyçi ‘shpërthen’ ndaj Borellit, Hovenierit dhe Stanos – hedh dyshime të forta mbi ta!

Nga: A.M. Më: 24 gusht 2023 Në ora: 19:32
Josep Borell

Profesori Enver Bytyçi ka mbështetur vendimin kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq për lirimin e një objekti komunal që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.

Ai në një postim në Facebook u shpreh se me këtë vendim Atiq po zbaton ligjin dhe mbron sovranitetin shtetëror të Kosovës.

Mirëpo, Bytyçi reagoi ashpër ndaj Borellit, Hovenierit dhe Stano-s, për shkak të kundërshtimit të këtij vendimi të komunës së Mitrovicës së Veriut, përcjell “Bota sot”.

“Nuk e thonë se kush e kërcënon sigurinë në veri të vendit. Kanë frikë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç?! Kanë frikë nga Rusia?! Ose Borrell është pjesë e planeve të Beogradit dhe Moskës!”

Postimi i plotë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim që të nxjerrë nga një godinë në administrim të komunës disa njerëz, pjestarë të strukturave paralele serbe në veri, kryesisht shtetas të Serbisë. Këtë vendim ai e ka arsyetuar me restaurimin e godinës në fjalë. Në fakt do të duhej që në vendim të thuhej, se strukturat paralele, të kujtdo, serbe, shqiptare, boshnjake, rome etj, janë të ndaluara me ligj dhe kushtetutë.

Pra me këtë vendim kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut zbaton ligjin, kushtetutën dhe mbron sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë e Kosovës. Por vendimi nuk i ka pëlqyer Joseph Borrellit dhe ambasadorit amerikan në Prishtinë, zotit Hovenier. Ata kanë reaguar kundër vendimit të kryetarit të komunës. Ndërsa zëdhënësi në shumë kuptime i Borrellit, zoti Peter Stano, i cili është aty që nga koha e Mogherinit, tha se "Kjo çeshtje duhet të zgjidhet me dialog midis Kosovës dhe Serbisë"!

Shihni çfarë intriganti? Çështja e ekzistencës së strukturave paralele na qenka edhe objekt i dialogut Kosovë-Serbi! D.m.th Kosova duhet të bisedojë me Serbinë për shtrirjen e sovranitetit të shtetit në veri të vendit. D.m.th se BE dhe ambasadori amerikan mendojnë se "sovraniteti i Kosovës është i diskutueshëm"! Ndërkohë që para disa ditësh zoti Hovenier tha se "Ne e dimë shumë mirë se ku është kufiri i Kosovës", duke nënkuptuar si pjesë të vendit edhe veriun e saj.

Nuk mund të pritej një sjellje tjetër nga kjo, sidomos nga Joseph Borrell, i cili nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Manovrat e tij për ta ndarë Kosovën janë të përditshme. Dhe përdorin për këtë "rrezikimin e sigurisë" në Kosovë e në rajon. Nuk e thonë se kush e kërcënon sigurinë në veri të vendit. Kanë frikë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç?! Kanë frikë nga Rusia?! Ose Borrell është pjesë e planeve të Beogradit dhe Moskës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat