Borrell jep detaje për takimin trepalësh, tregon çka refuzoi Kurti e çka pranoi Vuçiq

Aktuale

Borrell jep detaje për takimin trepalësh, tregon çka refuzoi Kurti e çka pranoi Vuçiq

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 06:18 Përditësuar në ora: 16:48 më 14.09.2023
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell

Kurti kundër dorëheqjeve të kryetarëve në veri, opsion që favorizohet nga Borell

Kryeministri Kurti i është përgjigjur kryediplomatit evropian, Josep Borrell, i cili pak më parë tha se dorëheqja e kryetarëve aktualë është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet e reja në veri.

Ai tha nuk mund të detyrohet askush të japë dorëheqje në emër të askujt.

Sipas tij, rruga demokratike dhe ligjore është udhëzimi administrativ, derisa tha se imponimet nuk janë të mirëseardhura dhe as demokratike.

“Lista serbe si një degë e partisë në pushtet në Serbi që vepron në Kosovë , më 5 nëntor dha dorëheqje kolektive në komunat në veri të Kosovës dhe këto i bën me qëllim të keq dhe të gabuar. Për gabimin e tyre nuk do të duhej ta paguanin kryetarët aktualë që njëmend e kanë legjitimitetin e vakët sepse dalja ka qenë e ulët, mirëpo janë të vetmit që kanë legjitimitet. Unë jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar udhëzimin administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse, në mënyrë që pastaj të organizohet votimit drejt përfundimit të mandatit të kryetarit. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, tha Kurti.

Borrell, sot në një konferencë për media, komentoi dy opsionet për t’i shpallur zgjedhjet, mirëpo e përsërit se dorëheqjet e katër kryetarëve është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë.

Ai tha se ka marrë garanci nga Vuçiq se serbët do të angazhohen për zgjedhjet në veri.

“Zgjedhjet mund të shpallen përmes dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në Veri të Kosovës ose përmes mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët e Kosovës për t’i shkarkuar kryetarët. Më lejoni që ta sqarojë se BE e sheh dorëheqjen e kryetarëve, të cilët janë zgjedhur vetëm nga 3 për qind e popullsisë, si mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Procedura tjetër, kërkimi i nënshkrimeve, nuk është e sigurt. Serbët e Kosovës pritet që të tregojnë konstruktivitet dhe të angazhohen, pa kushte, në procesin zgjedhor, ata duhet të marrin pjesë… dhe mirëpres garancinë që mora sot nga presidenti Vuçiq për këtë. Nëse nuk ka progres në zgjedhje, rreziku për ripërshkallëzim do të vazhdojë të jetë i rrezikshëm mbi zbatimin e marrëveshjes dhe në procesin e normalizimit”, tha Borrell. 

Deklarohet Albin Kurti pas takimit në Bruksel, tregon çka propozoi ai, por Vuçiq e kushtëzoi

Kryeministri i Kosovës, Albin  Kurti ka folur pas takimit në Bruksel, ku tha se ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit.

Ai tha se takimi nuk kishte sukses sepse siç tha ai, nuk mund të ketë kompromis mes një propozimi me sekuencë dhe një kushtëzimi të vjetër nga Serbia, siç është ai për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit.

Pala tjetër, pra Vuçiq, nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takimi nuk ka pasur rezultat. Nuk mund të ketë pajtim mes propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër”, tha Kurti për media.

Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin tonë për kompromis

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel ka fajësuar të dyja palët për mosrespektimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një konferencë për media, Borrell ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit duke insistuar në formalizmin e njohjes de-facto si një hap i parë.

Ndërsa sipas tij, presidenti Aleksandar Vuçiq, ka pranuar kompromisin e paraqitur nga BE-ja. Por, në fund nuk ka pasur dakordim.

“Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara në fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]”, është shprehur ai.

Ai tutje ka bërë të ditur se ka propozuar që njëra palë të fillojë të zbatojë një pikë të marrëveshjes dhe tjetra ta pasojë.

Bisedimet në Bruksel, Borrelli e shtyn deklarimin për në orën 20:00

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, e ka shtyrë për orën 20:00 deklarimin për media.

Ky deklarim i tij ishte planifikuar të bëhet në orën 15:00, mirëpo në faqen zyrtare të BE-së tani është paralajmëruar të mbahet në orën 20:00.

Kujtojmë se në një prononcim para gazetarëve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se bisedimet kanë rezultuar të pasuksesshme.

Kjo, pasi sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar që të bëjë kompromis.

Vuçiq: Jam i sigurt që do të vjen marrëveshja, duhet të vazhdohet me dialog

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është i sigurt se do të arrihet marrëveshja me Kosovën.

Vuçiqi, mes tjerash ka thënë se duhet të vazhdojë dialogu.

“Nuk besoj që kjo është fundi i botës, jam i sigurt qe do të vije marrëveshja, është diçka që duhet me ndodhë, jam i sigurt që duhet të vazhdojmë të dialogojmë”, u shpreh Vuçiqi para gazetarëve, pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel.

Presidenti serb theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dashur që ta pranojë propozimin e BE-së.

“Kurti nuk ka dashur të pranojë propozimin kompromis të BE-së dhe takimi ka përfunduar”, ka thënë ai.

Vuçiq: Bisedimet përfunduan pa sukses

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borrell në platformën X, e njohur më herët si Twitter.

Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.

Borrell reagon për takimin trepalësh: Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashikimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar për takimin e sotëm në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimit Evropian.

Borrelli dhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, fillimisht kanë pritur në takim nga ora 9:00, presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa më pas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në lidhje me këtë pak momente më parë ka dalë me një reagim Borrelli, ku ka thënë se është koha për të filluar zbatimin e marrëveshjes.

“Është koha për të filluar seriozisht zbatimin e marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, shkroi Borrelli.

Përndryshe, edhe takimi trilateral në mes palëve ka filluar minuta më parë.

Nis takimi Kurti-Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin në Bruksel - të parin pas më shumë se katër muajsh - në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.

Dalin pamjet e takimeve të ndara të Borrellit me Kurtin e Vuçiqin

Bashkimi Europian ka publikuar si zakonisht pamjet nga fillimi i takimeve mes ndërmjetësve Josep Borrell e Miroslav Lajçak me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Nikoqirët fillimisht pritën presidentin serb nga ora 09:00 e pas këtij takimi me të, Borrell e Lajçak pritën kryeministrin Kurti.

Pas këtyre takimeve, nga ora 11:00 pritet të nisë takimi trepalësh, i cili nuk u realizua në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel.

Siç ka njoftuar BE-ja, takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale.

Kryeministri Kurti në vazhdimësi ka insistuar në zbatimin e kësaj marrëveshje pa kushte

Vuçiq pas takimit me Borrell dhe Lajçak: Diskutimet e vështira sapo filluan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po i cilëson të vështira bisedimet e sotme në Bruksel me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarin evropian Mirsolav Lajçak.

Në një postim në Instagram, presidenti Vuçiq ka publikuar pamje nga takimi me dy evropianët.

“Bisedimet e vështira në Bruksel sapo kanë filluar”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Pas takimit me Vuçiqin, Borrell dhe Lajçak takuan edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa në ora 11:00 do të jetë takimi trepalësh, e më pas konferenca për media e Josep Borrell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat