Shkodra thotë se rezoluta për Policinë është tendencë për ta njollosur këtë institucion

Aktuale

Shkodra thotë se rezoluta për Policinë është tendencë për ta njollosur këtë institucion

Më: 19 tetor 2023 Në ora: 20:15
Policia e Kosovës

Rezoluta për Policinë e Kosovës e propozuar nga PDK-ja nuk ka arritur të hidhet në votim gjatë seancës së sotme të Kuvendit. Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Selam Shkodra, kjo rezolutë, është tendencë e një pjese të partive politike për ta njollosur PK-në.

Shkodra thotë se deklaratat që Njësia Speciale Intervenuese FIT nuk do jetë në detyrë, “janë ogurzezë për Kosovën”.

Teksa vlerëson se kërkesat për sigurim shëndetësor dhe shtesat për rrezikshmëri për policët janë të drejta, dhe si të tilla duhet të dëgjohen nga institucionet e vendit.

“Sa i përket pikës sot të rendit të ditës që ka qenë kjo rezolutë, unë mendoj që është një tendencë e një pjese të partive politike për të njollosur institucionin më kredibil, më vital në vend, siç është Policia e Kosovës. Zërat se Policia e Kosovës, njësia FIT, nuk do të jetë në një të ardhshme të afërt në detyrë, janë zëra ogurzezë për Kosovën. Nuk mendoj se na duhet kaq shumë pesimizëm…shtesat për rrezikshmërinë e Policisë janë kërkesa të drejta, si dhe kërkesa për sigurimin shëndetësor është një kërkesë e drejtë, dhe mendoj që duhet të ulen të gjithë akterët që të gjejë një zgjidhje optimale, me qëllim që Policia e vendit të ketë kushte më të mira për funksionimin dhe operimin e saj”, deklaroi ai.

Sipas tij, tendencat për ta politizuar një institucion siç është Policia e Kosovës, “nuk i shërbejnë vendit”.

Gjatë seancës së sotme në Kuvend, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se Njësia FIT e Policisë së Kosovës është duke shqyrtuar largimin nga ky institucion, për shkak të pakënaqësive. Rreth kësaj çështjeje kanë raportuar edhe disa media.

Në rezolutën e prezantuar për Policinë nga PDK-ja, përfshihet buxhetimi shtesë për pension të parakohshëm, shtesat e rrezikshmërisë dhe sigurimi shëndetësor.

Kjo rezolutë është mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët po abstenojnë të marrin pjesë në votim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat