Pas arrestimit Haxhi Shala “Topi” pritet të ekstradohet në Hagë, vëllai i tij jep detaje

Aktuale

Pas arrestimit Haxhi Shala “Topi” pritet të ekstradohet në Hagë, vëllai i tij jep detaje

Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 09:16 Përditësuar në ora: 17:07 më 11.12.2023
Haxhi Shala

Klinaku thotë se bastisjet dhe arrestimet, Specialja po i bën për t’i mbuluar skandalet

Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Vetaranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku, ka reaguar pas intervistimi në EULEX të ish-deputetit Haxhi Shala, i njohur me nofkën e luftës si komandant “Topi”.

Klinaku tha se pengimin e drejtësisë po e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

“Bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të tyre”, tha ai.

Sot, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka realizuar bastisje në pronat e ish-deputetit Shala, në fshatin Banjë të Malishevës.

Vëllai i Haxhi Shalës: Këto arrestime janë të paligjshme, po flitet që kanë me ekstradu

Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala është duke intervistuar në zyret e EULEX-it, i ndaluar nga Gjykata Speciale.

Avni Shala- vellai i Haxhi Shales tha se EULEX ishte në shtëpinë e tyre në orën 07:00, por që sipas tyre nuk kanë marrë asgjë.Ai tha se Shala është arrestuar, por sipas tij, ai pritet që të ekstradohet.

“Arrestimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Ne nuk kemi ditë asgjë. Unë kam shku në punë, me kanë lajmru më vonë familja, thanë që janë ardh e kanë marrë policia…Arsyeje po thonë që është pengimi i drejtësisë, diçka tjetër nuk ka. Forca të shumta të EULEX-it ka pas, por nuk kanë marrë asgjë, nuk është bastise hale kurgjo. Ka zgjatë 30 minuta. Nuk është lejuar që të komunikojmë më ta hiq, ia kanë marrë me telefon me krejtë.

Kom fol me vëlla edhe djalë të vllait, ai për momentin është arrestuar, po flitet që kanë me ekstradu. Këto arrestime janë të paligjshme edhe kjo gjykatë, me arrestu njerëz që kanë dhënë kontribut për vendin e vet është e paarsyeshme. Telefoni i është konfisku, drejtësisë nuk i ik, i është përgjigjur drejtësisë. Telefoni verës i është marrë”, ka deklarua ai.

Haxhi Shala intervistohet nga Gjykata Speciale

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është ftuar të hënën për intervistim nga Gjykata Speciale.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.

Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga kjo zyrë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Gucati është liruar ndërkohë, nën disa kushte./REL

Specialja arreston Haxhi Shalën, Komandant “Topin”

Gjykata Speciale ka ndërmarrë sot një operacion, i cili është duke u realizuar, ku tashmë kanë filluar bastisjet dhe është arrestuar komandant ‘Topi’, Haxhi Shala.

Burimet kanë bërë me dije se aksioni është urdhëruar nga prokurori i Dhomave të Specializuara dhe lidhet me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Kujtojmë se gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

ZPS ka deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat