Katër serbë mohojnë pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Banjskë

Aktuale

Katër serbë mohojnë pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Banjskë

Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 14:54
Pamje nga Banjska

Pas konferencës që pati kryeministri i Kosovës dhe ministri i Brendshëm të shtunën, shumë reagime pasuan.

Ministri Sveçla publikoi me emër të gjithë personat e dyshuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë. Ai deklaroi se pothuajse të gjitha janë anëtarë të organizatave “Mbrojtja Civile” apo “Brigada e Veriut” që kanë zhvilluar veprimtari të dyshimtë në Kosovë.

Megjithatë, që nga konferenca, të paktën katër serbë kanë dalur e kanë mohuar akuzat. Ata janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Tash, pasi ata janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet, mbetet të shihet nëse do t’i përgjigjen Prokurorisë, apo deklaratat e tyre janë bërë vetëm për propagandë.

Kush i mohoi akuzat?

Dragolljub Delibasiq ka mohuar të jetë pjesëmarrës në këto grupe terroriste teksa ka dhënë edhe vendndodhjen e tij me deklarimin se “jam i gatshëm t’i përgjigjem thirrjes së autoriteteve kompetente”.

“Unë, Dragolljub Dellibasic nga Zveçani, pas njoftimeve në media, mohoj çfarëdo pjesëmarrje në grupet që u përmendën. Unë jam në apartmentin tim në Zveçan, i gatshëm t’u përgjigjem çfarëdo thirrje nga autoritetet kompetente”, ka thënë ai, siç e citoi “RadioKiM”.

Ai mohon gjithashtu pjesëmarrjen dhe njohjen me persona që përmenden si përfaqësues të Mbrojtjes Civile. “Unë jam pensionist, i punësuar me kohë të pjesshme në zyrën e avokatisë së Dejan A. Vasiq si këshilltar administrativ”, ka thënë Delibashiq në një komunikatë të shkurtër për media.

Edhe Zhako Mojsilloviq ka dhënë një deklarim për portalin serb “KoSSeV” ku ka mohuar “tërësisht dhe fuqishëm” pjesëmarrjen e tij në sulmin terrorist në Banjskë ose anëtarësinë në organizatat e dezignuara terroriste si “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

“Unë, Zharko Mojsiloviq nga Mitrovica e Veriut, refuzoj dhe mohoj fuqishëm çdo pjesëmarrje në grupet që u përmendën në deklaratën e djeshme për media nga Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla. Dua të theksoj se nuk kam qenë i përfshirë apo i lidhur në asnjë mënyrë me ngjarjet e ndodhura në Banjska më 24 shtator të këtij viti, momentalisht jam në shtëpinë time në Mitrovicë dhe me kënaqësi do t'i përgjigjem ftesës së autoriteteve kompetente, mohoj fuqishëm çdo pjesëmarrje në këtë ngjarje”, tha ai.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në dispozicion të autoriteteve, çdo ditë në vendin e punës, duke mos u fshehur në asnjë moment. Asnjëherë nuk jam ftuar nga autoritetet kompetente për të dhënë një deklaratë dhe disponueshmëria ime e plotë për publikun dhe autoritetet dëshmon për gatishmërinë time për të bashkëpunuar në çdo kohë”, deklaroi Mojislloviq më tutje.

Jovan Miletiq është një tjetër serb që mohoi se ka qenë i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

“Dje ministri Sveçla publikoi foton, emrin dhe mbiemrin tim – Jovan Miletiq. Unë, Jovan Miletiq nga Zveçani, me adresë në Korilje , mohoj çdo konflikt me policinë e Kosovës apo përfshirje në Banjskë. Jetoj në Korilj me nënën, gruan dhe fëmijën tre muajsh. Unë jam një njeri i familjes. Unë punoj në shkollën e ekonomisë dhe biznesit, shkoj në punë dhe kthehem pa ndërprerje. Unë kam kaluar disa herë në vendkalimin administrativ, nuk kam pasur asnjë problem. Jam i gatshëm të deklarohem në çdo moment para organeve kompetente”, tha Miletiq për mediat serbe.

Një tjetër mohim erdhi nga Blazo Laziq, i cili pati akuza të ashpra për Sveçlën.

“I mohoj fuqishëm gënjeshtrat dhe të pavërtetat e paraqitura në konferencën e djeshme të mbajtur nga ministër Sveçljapër çfarëdo lloj përfshirjeje në, siç pretendon ai, shpërndarjen e armëve në Kosovë dhe Metohi. Këtë deklaratë, duke etiketuar pa asnjë provë, e shoh si vazhdimësi perfide të presionit ndaj familjes sime, mua dhe serbëve të tjerë nga Kosova”, tha Blazho Laziq për KoSSev.

Më vonë dolën edhe serbë të tjerë të cilët pretenduan se s’kanë lidhje me sulmin në Banjskë, por pa ofruar fakte.

Kurti e Sveçla përmendën edhe ndërlidhjen që kanë pasur terroristët me zyrtarët më të lartë të shtetit serb.

Megjithatë, pas mohimit nga këta serbë, mbetet të shihet nëse ata do të ftohen nga Prokuroria për t’u marrë në pyetje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat