Jep dorëheqje Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, rendit arsyet

Aktuale

Jep dorëheqje Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, rendit arsyet

Më: 5 janar 2024 Në ora: 10:31
Sami Mazreku

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Në njoftimin e publikuar në Facebook, ai ka renditur arsyet e dorëheqjes.

“Mos aprovimi i kërkesës sime që së bashku me vendimin që ka marrë Asambleja për delegimin e trajtimit te dëmeve në kompani të sigurimeve, të transferohet edhe një pjesë konsiderueshme e stafit që lidhet me trajtimin e dëmeve si dhe mos aprovimi i buxhetit për edukim financuar ku përfshihet publikimi i gazetës, mirëmbajtja e ueb faqes, organizimi i tryezave, konferencave me gazetarë, seminareve me gazetarë, dizajnimi i grafikave… etj kanë pamundësuar që unë të vazhdoj edhe më tutje të jam në krye të BKS-së”, ka shkruar Mazreku.

Ai ka falenderuar Bankën Qendrore të Kosovës për mbështetjen, derisa ka thënë që me kontributin që ka dhënë ka bërë që “sektori i sigurimeve tash të ketë një pamje krejtësisht tjetër.”.

Reagimi:

Të nderuar shok, miq e bashkëpunëtore

Unë sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), duke iu falënderuar të gjithëve një nga një për bashkëpunimin që ma keni ofruar gjatë 38 muajve të fundit sa unë kam drejtuar një Institucion të rëndësishëm siç është Byroja Kosovare e Sigurimit.

Një falënderim i veçantë është për Bankën Qendrore të Kosovës që me ka ofruar mbështetje të pa rezervë.

Për punën që është bërë në ketë BKS, por edhe për sektorin e sigurimeve në vend më duhet të flas më ditë të tëra, sepse siç edhe ju e dini ka shumë, por unë do të ndalem tek zhvillimet kryesore që kanë ndodhur, ku unë kam dhënë kontributin tim që sektori i sigurimeve tash të ketë një pamje krejtësisht tjetër.

1. Kur unë kam nisur punën, konkretisht më 30 shtator të vitit 2020, në BKS i kam gjetur pezull 5246 dosje që i përkasin periudhës 2002-2020. Nga 1 tetor 2020 deri 1 maj 2023, ne i kemi mbyllë 82 % të dosjeve. Po ashtu, nga 1 tetor 2020 deri 31 maj 2023 në BKS u paraqiten edhe 12,998 dosje të reja prej te cilave në i mbyllëm 79 % apo ne total 10249 dosje.

2. Në raport me automjetet e paregjistruara ne falë një punë dhe angazhimi të madh hoqëm të gjitha kushtëzimet për regjistrimin e veturave që kishin qenë në fuqi si kusht për të regjistruar automjetin. Gjithashtu, për herë të parë sektori i sigurimeve në Kosovë financoi projektin e stikerave e që falë këtyre dhe natyrisht punës së madhe time dhe Institucioneve tjera numri i automjeteve të paregjistruar nga 35 % ka rënë në 3 %.

3. Në raport me Byrotë e vendeve tjera, ne nënshkruam marrëveshjen me Byronë e Malit të Zi, i mbyllem problemet e shumta që ishin me Byronë Shqiptare të Sigurimit dhe relaksuam raportet me Byrotë e rajonit dhe COB.

4. Në raport me auditimin e jashtëm është dashur të behet skanim dhe rakordimi i pasqyrave financiare për gjashtë vitet e kaluara, ku dhe për hërë të parë BKS-ja është barazuar në aspektin financiar e ligjore me anëtaret e saj. Rakordimi i periudhës gjashtë vjeçare me raportin të cilin e kemi dorëzuar në BQK mundësoi që disa kualifikime që ishin ndër vite në raportin e auditorit të jashtëm të hiqen, e ku për herë të parë në dy vitet BKS-ja ka raport të pakualifikuar të auditorit të jashtëm.

5. Në raport me regreset për periudhën dy vjeçare ne inkasuam rreth 1,8 milionë euro, pranuam vendime milionëshe të cilat janë në procese të përmbarimit, përderisa sa në periudhën 2002-2020 ishin vetëm 500 mijë euro të hyra pavarësisht qe ishin paguar mbi 40 milion euro.

6. Në raport me sistemin, BKS-ja për herë të parë ka në pronësi dhe posedon source kodin e sistemit, i cili përveç digjitalizimit, mundësoi që për herë të parë tarifat e BQK-së të aplikohen në mënyrë të saktë, dhe atë në veçanti për kategori rent, taksi dhe për autobus urban dhe nder urban, e ku u krijuan të hyra më të larta për sektorin. Ky sistem mundësoi lidhjen me 17 Institucione financiare të licencuar nga BQK-ja që konfirmimi i pagesave të bëhet në kohe reale, pa pritur sesionet e zakonshme të BQK-së. Ky sistem krijoi qasje në kohë reale në aplikacionet që janë enkas për drejtoret e kompanive të sigurimit secili vec e vec për kompanine qe udheheq.

7. Në raport me infrastrukturën Ligjore ne kemi bërë ndryshimin e të gjitha rregulloreve të cilat ishin të pandryshueshme që nga vitin 2013. Po ashtu, draftuam bashkërisht edhe Ligjin e auto përgjegjësisë.

8. Në raport me infrastrukturën e brendshme, atë e ndryshuam në tersi, pasi që edhe siç ju e dini gjendja ishte e mjerueshme.

9. Në raport me qasjen e anëtareve në BKS kemi ofruar transparencë 100%, si Asamblesë, ashtu edhe Këshillit, ku keni qenë të njoftuar në kohë reale për veprimet që po ndodhin.

10. Në raport me Edukimin Financiar ne jemi konsideruar si Institucion model. Kemi krijuar gazetën iSIGURIME, kemi krijuar ueb faqen e BKS-së ku në kohe reale janë publikuar të gjitha materialet, kemi publikuar mijëra grafika edukative Ne gjatë 38 muajve kemi organizuar më qindra aktivitete me media e Institucione që kanë pasur për qëllim vetëdijesimin dhe edukimin për sektorin e sigurimeve në vend.

11. Gjatë kësaj përudhe kohore ne kemi nënshkruar shumë memorandume me Universitet Publike, Kolegje private, shkolla të mesme... etj, ku qëllimi i vetëm ishte edukimi financiar si një prej kërkesave kryesore të rregullatorit.

12. Gjatë kësaj kohe ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat teknike që bien në barrën e BKS-së për anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër, madje edhe kjo është konfirmuar edhe nga vetë presidentja e këtij Institucioni.

13. Jo e fundit për nga rëndësia, për herë të parë BKS-ja është përmendur ne dy vitet e fundit edhe në raportin e Progresit për të arritura pozitive që kanë ndodhur gjatë kohës së unë e kam menaxhuar ketë Institucion.

Nga minus 24 milion humbje në plus 10 milionë euro fitim

Siç ju e dini sektori i sigurimeve para disa viteve ka mbyllur vitin me bilanc negativ prej më shumë se 24.6 milionë euro, deri sa sot pas pese vite veprime, aktivisteve, angazhime e ndryshime, erdhe te një situate ku sektori i sigurimeve mbyll vitin me bilanc pozitiv mbi 10 milionë euro. Për ta ardhur te kjo rritje e profitit është dashur një angazhim dhe punë e palodhshme e ime, por edhe Institucioneve tjera siç është BQK-ja.

1. Me Ligjin e auto përgjegjësisë ishte e paraparë që 1 % e Primeve Bruto të TPL-së të derdhej në llogari të Kryqit të Kuq të Kosovës. Siç ju e dini dy tentativat e juaja për ndryshim ishin të pasuksesshme, derisa angazhimi im në ketë drejtim dhe dhëne rezultate, ku Gjykata Kushtetuese, ka shpallur si nen diskriminues dhe kunderkushtetues dhe kompanitë nuk do të paguajnë më atë shumën prej rreth 10 milionë euro. Si dhe për çdo vit nga 500 deri në 600 mijë euro.

2. Me Ligjin e Korporatave kompanitë kanë paguar 5 % në qarkullim, madje edhe në kohën kur kompanitë ishin më humbje. Edhe në ketë drejtim ne punuam bashkërisht dhe ia arritëm qëllimit, ku përfundimisht kompanitë nuk do të paguajnë ketë taksë shtese prej 5 %, por do të paguajnë tatim ne fitim si të gjitha korporatat tjera. Deri në kete ndryshim ligjor kompanitë paguan më shumë se 60 milionë euro. Impakti vjetor i këtij ligji është mbi 5 milionë euro në vit.

3. Implementimi i sistemit të ri INSUREX bëri që të hiqet letra e para printuar për TPL, TPL plus dhe sigurim kufitar. Implementohet saktë sistemi bonus-malus. Impakti vjetor që sjell sistemi ri është 4 deri në 6 milionë euro.

4. Vendosja e stikerave në xhama të automjeteve përveç që uli dëmet nga automjetet e paregjistruara rreth 15 %, po ashtu mundësoi që policia e Kosovës t’i identifikoj nga distanca dhe me pas të heq nga qarkullimi këto automjete.

5. Siç edhe ju e dini në të kaluarën BKS-ja është akuzuar dhe kritikuar nga të gjithë, e ndihem krenar që logon e BKS-së po e lej në çdo veturë, media, Institucione Publike, private... etj.

Jam i lumtur që kam dhënë kontributin tim për të ndodhur këto të mira për sektorin e sigurimeve ku kam dhënë kontributin tim tash e 18 vite.

Shumë shkurt u’a rikujtova vetëm disa punë të mira që ne kemi bëre gjithmonë në të mirë të sektorit, në të mirë të pronareve të kompanive të sigurimeve

Por, tash shumë shkurt po flas rreth arsyes së dorëheqjes sime

Mos aprovimi i kërkesës sime që së bashku me vendimin që ka marrë Asambleja për delegimin e trajtimit te dëmeve në kompani të sigurimeve, të transferohet edhe një pjesë konsiderueshme e stafit që lidhet me trajtimin e dëmeve si dhe mos aprovimi i buxhetit për edukim financuar ku përfshihet publikimi i gazetës, mirëmbajtja e ueb faqes, organizimi i tryezave, konferencave me gazetarë, seminareve me gazetarë, dizajnimi i grafikave... etj kanë pamundësuar që unë të vazhdoj edhe më tutje të jam në krye të BKS-së.

Andaj edhe njëher unë ndihem me fat që kam pas pasur mundësinë ta menaxhoj një Institucion të tillë dhe ndihem krenar që kam arritur te le ne gjendje siç është sot.

Mirenjohje pa fund mediave.

Faleminderit të gjithëve

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat