​Tahiri: Nuk mund të lejojmë plaçkitjen, do ta kundërshtojmë në çdo formë

Aktuale

​Tahiri: Nuk mund të lejojmë plaçkitjen, do ta kundërshtojmë në çdo formë

Më: 18 janar 2024 Në ora: 12:38
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deklaroi se vitin e kaluar janë plaçkitur qytetarët e Kosovës. Sipas tij, vitin e kaluar kërkesa për import e KESCO-s ka qenë vetëm pesë për qind, ndërkohë që 95 për qind e energjisë është prodhuar në vend.

Tahiri theksoi se në vitin 2023, importi i nevojshëm ka qenë 15 për qind, ku siç tha ai, pesë për qind janë shkuar për qytetarët ndërkaq pjesa tjetër janë keqmenaxhim.

Tahiri: Kërkesa e KESCO-s për të furnizuar qytetarët me energji elektrike ka qenë 4 milionë e 919 megavat

“Në komplet vitin 2023 që e lëmë pas, kërkesa e KESCO-s për të furnizuar qytetarët me energji elektrike ka qenë 4 milionë e 919 megavat, ndërsa kërkesa për import e KESCO-s ka qenë 255 mijë e 140 megavat, që i bie në përqindje vetëm 5,19 për qind në total vitin e kaluar për qytetarët ka pasur nevojë për import. Ndëra, 95 për qind e kësaj energjie është prodhuar nga prodhimi jonë vendor, nga KEK-u, nga hidrocentralet e Lumbardhit dhe nga ZRrE”, deklaroi Tahiri.

Tutje, ai ka krahasuar çmimet e rrymës që blihen dhe që faturohen për konsumatorët.

Tahiri: Mbi 800 kilovat na e faturon 14 euro e gjysmë, 500 për qind

“Nëse e shohim çmimin për megavat, se sa e merr KESCO në KEK është vetëm 2 euro e 90 centë kushton kilovati. Ndërsa, neve qytetarëve me tarifën e ulët na e faturon 3.34 centë, me tarifën e ulët pjesën e natës, ndërsa me tarifën e lartë nën 800 kilovat është 7.79 centë. Pra, më shumë se 100 për qind. Nëse shkojmë mbi 800kËh, tarifa e ulët është 6.81 centë, ndërsa tarifa e lartë mbi 800 kilovat shkon 14.45 centë. Pra, prej 2 e 90 sa e merr në KEK, neve me tarifën e lartë mbi 800 kilovat na e faturon 14 euro e gjysmë, pra gati 500 për qind”, ka deklaruar Tahiri.

Në seancë të jashtëzakonshme, Tahiri shtoi se një gjë e tillë është plaçkitje dhe duhet të kundërshtohet në çdo formë.

Tahiri: Kjo është plaçkitje, duhet ta kundërshtojmë

“Është e papranueshme të vazhdohet edhe në vitin 2024 me pagu fatura të tilla të energjisë elektrike, kur nevoja për import ka qenë vetëm 5 për qind. 95 për qind e energjisë elektrike është prodhuar nga prodhimet vendore. Në anën tjetër, çmimi shkon deri në 500 qind për qind në tarifën e lartë mbi 800 kilovat, kjo është e papranueshme dhe në çdo variant duhet ta kundërshtojmë. Nuk mundemi me leju me u gjobit në forma të tilla. Kjo është plaçkitje”, ka thënë Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat