“Që tre vjet, Kurti një hap para e tre mbrapa”, Bajrami e kritikon qeverinë për “moskoordinim me aleatët”

Aktuale

“Që tre vjet, Kurti një hap para e tre mbrapa”, Bajrami e kritikon qeverinë për “moskoordinim me aleatët”

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 23:10
Hykmete Bajrami

Në vazhdën e një stuhie kritikash dhe paralajmërimesh të rrepta nga aleatët më të mëdhenj të Kosovës lidhur me vendimin për ndalimin e dinarit serb – një vendim që shkaktoi valë tronditëse nëpër korridoret diplomatike – Banka Qendrore e Kosovës njoftoi disa masa që synojnë të lehtësojnë rrugën drejt zbatimit të plotë të Rregullores. Në kontekst të këtyre zhvillimeve, për deputeten e Llidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami një gjë nuk është qartë; “kush humbi e kush fitoi?!”. Bajrami ende e ka të vështirë të kapërdijë faktin se një veprim i tillë do të ndërmerrej “pa koordinim me aleatët”.

Banka Qendrore e Kosovës bëri të ditur të hënën se tranzicioni për të zbatuar rregulloren – e parashikuar për të ndaluar përdorimin e dinarit serb – do të jetë maksimumi tre muaj.

Plani i ri për zbatimimin e Rregullores vjen si shkak-pasojë e presionit ndërkombëtar dhe kritikave të ashpra që kryeministri Kurti mori gjatë seancës së OKB-së. Në këtë kontekst, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, akuzoi Kurtin për “politizim” të Rregullores së BQK-së.

“Qe tri vjet, Kurti një hap para e tre mbrapa. Kujt iu desht politizimi i Rregullores së BQK-së deri në Këshill të Sigurimit, ku u pa qartazi se kjo Rregullore dhe politizimi i saj ishin bërë pa koordinim me aleatët tanë, të cilët po në Këshill e kritikuan Kosovën bash ditën kur Parlamenti Evropian nxori Rezolutë për hetim ndërkombëtar rreth manipulimit të zgjedhjeve në Serbi nga ana e Aleksandër Vuçiqit.” – tha Bajrami.

Lidhur me zmbrapsjen e Bankës Qendrore sa i përket çështjes së dinarit, në një prononcim Bajrami ka ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësinë pas kritikave të ashpra të komunitetit ndërkombëtar.

“Ma thoni kush humbi e kush fitoi?! Sot, Banka Qendrore paska njoftuar për përiudhën tranzitore tre mujore për zbatimin e Regullores. Mirë shumë deri këtu, se po thojnë që BQK është institution “i pavarur”, por kush mban përgjegjësi për krejt kritikat që Kosova mori nga pothuaj secili aleat i saj gjatë dhjetë ditëve të kaluara, apo me rëndësi është popullizmi i momentit. Tani kthimi mbrapa nuk është që ka ndonjë efekt te populli, druaj as të aletatët, por pëlqimet u morën, vargje patriotike u thurën, videot u bënë virale anipse Kosova po numron në vend.” – tha deputetja e LDK-së

Gjithashtu, deputetja e LDK-së ka kujtuar se kanë kaluar plot 230 ditë që kur vendi gjendet nën sanksione nga Bashkimi Evropian.

“Mos të harrojmë asnjëherë faktin se falë kësaj Qeverie Kosova ka 230 ditë që është nën sanksione nga ana e BE dhe po kritikohet haptas nga ShBA.” – tha Bajrami.

‘Plani i ri’

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe shtetet tjera aleate të Kosovës kundërshtuan që në fillim dhe në vazhdimësi vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe zbatimin e tij pa koordinim paraprak.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, gjatë seancës së OKB-së tha se Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin me planin e Kosovës për të zbatuar rregulloren e BQK-së.

Përfaqësuesja e ShBA-së bëri thirrje që “ky zbatim të pezullohet menjëherë deri sa procedurat e kënaqshme të jenë në vend, dhe popullata e afektuar të jetë mjaftueshëm e edukuar dhe informuar.”

Në konktest të këtyre zhvillimeve, Banka Qendrore e Kosovës njoftoi dje rreth një plani të ri për zbatimin e rregullores, ku përcaktohet largimi i dinarit nga tregu. BQK-ja bëri të ditur se ka ndëmarrë disa veprime në kuadër të një plani sa më të shkurtër, por jo më të gjatë se tre muaj.

“BQK në kuadër të veprimeve të saj për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara, njofton opinionin publik lidhur me Planin me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre (3) muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare”, thuhet në komunikatë.

Kjo që duket si shtyrje e vendimit për dinarin nga BQK-ja, vjen pas një postimi në Twitter nga kryeministri Kurti, i cili bëri thirrje që të mos ketë ndëshkime. Krejt kjo ka ardhur pas një presion të madh ndërkombëtar që vendimi të shtyhet, në mënyrë që të ketë informim më të madh për qytetarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat