​“Ne nuk harrojmë”, protestohet kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit

Aktuale

​“Ne nuk harrojmë”, protestohet kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 15:07
Foto nga vendi i ngjarjes

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kundërshtuar sot përmes një proteste vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Protestuesit para Pallatit të Drejtësisë kanë mbajtur pankartat ”Ne nuk harrojmë”, “Drejtësi për Marigonën”, “Siguri dhe Drejtësi për gra”, duke shprehur kështu revoltën ndaj vendimit të Apelit.

Bjeshkë Guri, anëtare e Kolektivit, ka kritikuar vendimin e Apelit, duke thënë se gjykata asnjëherë nuk adresoi çështjet më problematike në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Guri: Vendimi për rigjykim në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase

“Të dashur qytetarë, jemi mbledhur sot këtu pranë Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar edhe njëherë praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili është duke na e vërtetuar çdo herë e më shumë se nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie. Vendimi i Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikun që Marigonës t'i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri”, tha Guri.

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burg të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit. Guri thotë se përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete, nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore.

Guri: Në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore

“Në vitin 2023, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit si dhe me 15 vjet burgim Arbër Sejdiun për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rënd. Ky vendim u rikthye në rigjykim me arsyetimet dhe kërkesat e Gjykatës së Apelit, ku ndër të tjera vihet në pikëpyetje mënyra mizore me të cilën Dardan Krivaça, me ndihmën e Arbër Sejdiut e kanë vrarë Marigonën. Kjo është tejet shqetësuese për ne, përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike, në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore. Një sugjerime i tille e rivendose theksin te motivet e vrasjes dhe jo akti për se, çka për ne është e papranueshme. Tutje, është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike te Gjykatës Themelore ne trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale”, u shpreh Guri.

Guri potencoi se rastin e Marigonës nuk do ta lejojnë që të zvarritet në gjykata dhe t'ua thellojnë dhimbjen familjarëve të saj.

Guri: Nuk mund të lejojmë që rasti i Marigonës të zvarritet në gjykata

“Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo, Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo, dhe gabimisht nxjerr konkluzione duke u mbështetur vetëm në provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit. Nga ana tjetër, gabimet dhe lëshimet e njëpasnjëshme nga gjykatat themelore, të cekura nga Apeli, pasqyrojnë neglizhencën e grave nga ky sistem, çka është duke i bërë këto raste barrë të familjeve të viktimave dhe të mbijetuarave. Ne jemi të indinjuara dhe të revoltuara me këtë vendim të Gjykatës së Apelit që pasqyron një problem më të thellë. Sistemi dhe neglizhenca e theksuar institucionale e jetës së grave, prandaj thërrasim në organizim dhe vëmendje për këto rast. Nuk mund të lejojmë që rasti i Marigonës të zvarritet në ndërtesat e gjykatave dhe eventualisht t'ua thellojë edhe më tej dhimbjen familjarëve të saj. Nuk mund të lejojmë që praktika të tilla ku bëhet fjalë për jetët e grave të bëhen normale. Sot e çdo ditë tjetër protestojmë dhe kërkojmë drejtësi për Marigonën dhe çdo grua tjetër, të gjallë a të vdekur”, tha Guri.

Guri ka përmendur se Marigona Osmani kishte të thyera 12 brinjë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj.

Guri: Marigona ka pasur dymbëdhjetë brinjë të thyera

“Mizoria është konstatuar në momentin që është konstatuar që Marigona ka pasur dymbëdhjetë brinjë të thyera. Aty do të ishte vendi ku duhej të ndalemi dhe jo të mbesin përpara tavolinës efekte dhe elemente të tjera siç është xhelozia, pasi kjo vetëm e heq fokusin qenësor që duhet të qëndrohet te mizoria dhe kjo i dekurajon viktimat të tjera të vijnë të raportojnë dhunën dhe këto raste që po ndodhin shpesh në shoqërinë tonë”, tha Guri.

Ndryshe, 18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores u tha se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Më 23 shkurt, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga Themelorja për vrasjen e Marigona Osmanit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat