​Sfidat dhe nevojat për më shumë transparencë në sistemin e drejtësisë

Aktuale

​Sfidat dhe nevojat për më shumë transparencë në sistemin e drejtësisë

Më: 28 maj 2024 Në ora: 15:03
Foto nga vendi i ngjarjes

Rreth 30 zyrtarë për informim nga sistemi prokurorial e gjyqësor në Kosovë u trajnuan për transparencë në drejtësi. Për dy ditë radhazi ata ishin pjesë e punëtorisë “Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, të organizuar nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID). Qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë përmirësimi dhe rritja e transparencës në sistemin e drejtësisë në raport me mediat dhe publikun. Pjesëmarrësit kanë qenë zyrtarë për informim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të të gjitha prokurorive themelore, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave në vend.

Publikimi i lajmeve të pakonfirmuara po shkakton dëm të madh te viktimat dhe në vet procesin e hetimeve, u tha në këtë punëtori të mbajtur në tri sesione të ndara.

Udhëheqësja e zyrës për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu konsideroi se publikimi i lajmeve pa konfirmimin e zëdhënësve të gjykatave është gabimi themelor.

Uka-Lutfiu: Plasimi i lajmeve pa konfirmimin e zëdhënësve është gabimi themelor

"Kemi një numër të madh të portaleve që shkojnë më shumë me gazetarinë copy-paste edhe që nuk i njohin mirë ligjet dhe nuk e njohin dëmin që mund të shkaktojnë në publik apo në hetim të rasteve. Dhe në këtë aspekt mendoj që kishte qenë nevojë urgjente që të rregullohet kjo fushë sepse ka raste që janë dëmtuar hetimet, kur është shkaktuar dëm i madh tek viktimat. Ideja e plasimit të një lajmi pa konfirmimin prej personave kompetent, në këtë rast prej zëdhënësve të gjykatave, është gabimi themelor qe bëhet në transmetim të lajmit në publik", tha ajo.

Në punëtorinë dy-ditore u theksua edhe nevoja për numër më të madh të stafit në fushën e komunikimit.

Uka-Lutfiu: Jemi nga një person në zyrat për informim

"Ne vazhdojmë të jemi nga një person në zyrat për informim që paraqet një sfidë te veçantë në mundësinë për të transmetuar sa më shumë informacion, për të informuar sa më shumë publikun për zhvillimet në gjyqësor, për aktgjykimet, kështu që kjo është sfida kryesore aktuale. Përndryshe nga viti në vit transparenca po shkon duke u rritur. Numër shumë i madh i aktgjykimeve publikohen çdo ditë. Nëse nuk gaboj tani i kemi mbi 150 mijë aktgjykime të publikuara në uebfaqe", deklaroi Uka-Lutfiu.

Sfidat në realizimin e niveleve të komunikimit u përmendën edhe nga përgjegjësi për komunikim publik në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Bedri Gashi.

Gashi: Duhet të arrihet shpërblimi karshi punës që bëjmë

"Jemi avokatë të institucionit tonë, avokojmë për punët, veprimtaritë dhe detyrat që kemi kompetencë në detyrat që na përshkruan dhe njëkohësisht mundohemi vazhdimisht që ta rrisim nivelin e bashkëpunimit me mediat, shoqërinë civile dhe të tjerat, palët qe janë të interesuara të bashkëpunojnë me neve. Ne kryejmë një mision të dyfishtë si komunitet, për shkak se avokojmë edhe për mediat brenda institucionit, pra është një mision i dyfishtë. Për të cilin kemi diskutuar edhe sot në sesionet e ditës së sytë të punëtorisë. Me Ligjin e ri të Pagave por edhe me rregullore të brendshme të sistemit prokurorial, mendojmë se duhet të arrihet shpërblimi karshi punës së tyre që bëjnë sepse mendoj që për t’u krijuar një zyrtar për komunikim publik me përvojën e tij dhe me gjithë shtrirjen e tij në publik duhet të kalojë një periudhë kohore edhe nuk krijohen lehtë shërbyesit e komunikimit publik, ata duhen ruajtur në sistem”, theksoi ai.

Menaxheri i projektit, Fadil Miftari tha se kjo punëtori ka synuar përmirësimin dhe rritjen e transparencës së sistemit të drejtësisë në raport me mediat dhe publikun.

Miftari: Projekti ynë promovon transparencën në të gjitha institucionet publike

Objektivi kryesor i punëtorisë apo qëllimi kryesor i saj është që të hapim një lloj debati brenda për brenda këtij aktiviteti dhe të shohim se si mund të përmirësohet dhe forcohet transparenca në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Projekti ynë jep një mbështetje dhe promovon transparencën në të gjitha institucionet publike, mirëpo ky aktivitet është i fokusuar ose i personalizuar vetëm për të dy këto mekanizma, sistemin e drejtësisë, sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor. Në fakt, siç po e sheh këtu është një numër i konsiderueshëm, kryesisht zyrtarë, të cilët i udhëheqin dhe punojnë në zyrën e informimit”, deklaroi ai.

Në sesionet e kësaj punëtorie, Fadil Miftari shtoi se kanë qëllim të diskutohet nëse këto dy mekanizma të drejtësisë janë të gatshme të qasen me publikun në epokën digjitale.

Miftari: Institucionet nuk kanë filluar të përdorin format digjitale të rritjes së transparencës

Të dy këto mekanizma nuk kanë filluar ndonjë iniciativë që të përdorin format digjitale të nxitjes apo rritjes se transparencës karshi publikut. Këto secila komunikojnë, secila i kanë uebfaqet e tyre, mirëpo akoma është në fazën e komunikimit tradicional. Mirëpo, siç dihet sot kemi një gamë të gjerë të formave të reja të komunikimit që janë më të shpejta dhe krijojnë kontakt shumë më të afërt drejtpërdrejt me publikun, pa qenë dikush në mes… Këtu u vërejt që akoma nuk kanë marrë ndonjë hap substancial që komunikimi të jetë drejtpërdrejt me publikun”, tha Miftari.

Punëtoria e mbajtur në Durrës u organizua nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe u financua nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat