Qeveria vendos të rris numrin e gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur që të rritet numri i gazetarëve ukrainas në Kosovë. Kosova do të ju ofrojë atyre dhe anëtarëve të ngushtë të familjes mbrojtje të përkohshme.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se Kosova po vazhdon të tregojë solidaritet dhe përkushtim ndërkombëtar për gazetarët ukrainas.
Gashani: Republika e Kosovës do të ju sigurojë strehim të sigurt këtyre personave
“Republika e Kosovës vazhdon të tregojë solidaritet dhe përkushtim ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke ofruar mbrojtje të përkohshme për gazetarët ukrainas dhe familjet e tyre të rrezikuar për arsye të luftës në Ukrainë. Ky vendim si plotësim i vendimit të marrë në vitin 2022 për 20 gazetarë, ka për qëllim të rris numrin e gazetarëve ukrainas të cilëve Republika e Kosovës do të ju sigurojë strehim të sigurt. Mbrojtja e përkohshme do të ofrohet në përputhje me ligjin për azil dhe do të ketë efekt të menjëhershëm nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të jenë të detyruar të respektojnë”, tha ai.
Kurti: Ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka
Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro e 14 mijë euro në mbështetje të Trepçës për tejkalimin e kriza aktuale, pasi ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se po ndajnë këto mjete për tejkalimin e krizës aktuale.
“Do të ndajmë 4 milionë euro për mbështetje ndaj Trepçës në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerr, duket që ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka“, tha ai.
Përndryshe, punëtorët e Trepçës për nesër në orën 12:00, kanë paralajmëruar protestë para qeverisë.
Kurti: Hapja e Urës së Ibrit s’është kundër askujt
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.
Në hyrjen e mbledhjes së 216-të të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka thënë se Kosova është shtet normal dhe se si i tillë duhet t’i ketë edhe urat normale – të hapura.
“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme.
Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti.
Qeveria ndan mjete për pagat e minatorëve
Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për pagat e minatorëve të Trepçës, të cilët kanë mbetur pa i marrë ato tash e tre muaj.
Kryeministri Albin Kurti, tha se ky vendim ka ardhur pasi Bordi i Trepçës nuk ka arritur t’i sigurojë pagat.
“Për ndërmarrjen publike Trepça do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të Trepcës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerra.
Duket se ka tepër shumë punëtor mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga toka”, u shpreh Kurti.
Kurti mbledh kabinetin e tij
Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.
Në mbledhjen e ekzekutivit e cila pritet të fillojë në ora 10:00, në rend të ditës janë 24 pika.
Ndër të tjera, sot do të bëhet shqyrtimi i Propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës. Po ashtu do të bëhet shqyrtimi i Propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministres së Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.
Sot po ashtu do të bëhet shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.