Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka njoftuar se janë tërhequr nga protesta të cilën e kishin paralajmëruar që do të zhvillohej të enjten, pas vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës për të ndarë 4 milionë euro për ndërmarrjen “Trepça” për t’i subvencionuar pagat e minatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Sindikatës së Minatorëve bëhet e ditur se anulimi i protestës për ditën e nesërme bëhet pasi që qëllimi i minatorëve thuajse është realizuar andaj është e paarsyeshme mbajtja e protestës, të enjten.
Në njoftim Sindikata e Minatorëve i ka bërë thirrje minatorëve që të i kthehen punës.
“Qëllimi i minatorëve për ekzekutimin e pagave thuajse është realizuar, ndaj edhe e vlerësojmë të paarsyeshme mbajtjen e protestës ditën e nesërme. Ky edhe ka qenë qëllimi i vetëm i protestës dhe se në asnjë moment kërkesave të minatorërve nuk mund dhe nuk duhet ti vihen ngjyrime politike.
Minatorët nuk kan kërkuar dhe nuk kërkojnë asgje tjeter, përveq kushte për punë dhe paga dinjitoze. Përkushtimi ynë për punë në minierë është dhe do të mbetet përher i palëkundur.
Prandaj lusim të gjithë minatorëve ti kthehen punës”, vijon njoftimi.