Kabashi: 346 ditë pa aktakuzë për sulmin në Banjskë

Aktuale

Kabashi: 346 ditë pa aktakuzë për sulmin në Banjskë

Më: 7 shtator 2024 Në ora: 10:14
Flamur Kabashi

Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shprehë shqetësim për vonesën e gjatë në ngritjen e aktakuzës.

Kabashi theksoi se kanë kaluar 346 ditë që nga ngjarja, por ende nuk është ngritur një aktakuzë ndaj të dyshuarit kryesor, Milan Radojçiqit

Ai e bëri të qartë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë përgjegjësinë për hetimin e rastit dhe ka kryer konfiskime dhe bastisje, por nuk është e qartë pse aktakuza nuk është ngritur ende.

Sipas Kabashit, Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës, i miratuar nga shumica parlamentare që aktualisht udhëheq me pushtetin, parashikon një periudhë 3-vjeçare për ngritjen e aktakuzës.

Megjithatë, ai theksoi se, ndonëse Prokuroria është ende brenda këtij afati ligjor, periudha e gjatë pa aktakuzë është e pakuptueshme dhe krijon dyshime mbi efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

“Pas ndodhjes së rastit me 24 shtator deri më sot del se kanë kaluar 346 ditë, apo 11 muaj e 11 ditë dhe se deri më tash nuk kemi aktakuzë të ngritur. Dihet se në masën e paraburgimi gjenden tre persona si të dyshuar për sulmin në fjalë dhe se qysh prej momentit kur ka ndodhur rasti PSRK-ja ka njoftuar se ka bërë konfiskime dhe bastisje dhe se rasti nga Prokuroria ishte duke u hetuar edhe për shpëlarje parash. Tash duhet ditur se Kodi i Procedurës Penal në fuqi i cili është miratuar pikërisht nga shumica parlamentare që udhëheq me pushtetin ka paraparë që brenda periudhës 3 vjeçare të ngritët aktakuza dhe na del se prokuroria është brenda afatit ligjor për ngritje të aktakuzës”, tha ai.

Kabashi kritikoi partinë në pushtet për zgjatjen e afatit të ngritjes së aktakuzës përmes ndryshimeve të miratuara në Kodin e Procedurës Penale gjatë vitit 2022.

Ai argumentoi se këto ndryshime, të cilat u miratuan për të zgjatur periudhën e hetimeve dhe procedurave ligjore, tani po përdoren për të justifikuar vonesat në rastin e Banjskës, ndonëse e njëjta parti është e angazhuar për ngritjen e aktakuzave për raste të tjera me prioritet të lartë.

“Është e pakuptueshme se si partia në pushtet kërkon që të ngritët sa më shpejt aktakuzë në këtë rast kur kjo parti vet ka zgjatur afatin kohor për ngritje të aktakuzës përmes miratimit të Kodit të Procedurës Penale gjatë vitit 2022”, potencoi Kabashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat