Dejona Mihali nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për intervistim

Aktuale

Dejona Mihali nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për intervistim

Më: 13 shtator 2024 Në ora: 16:33
Dejona Mihali

Dejona Mihali do duhej të intervistohej të premten në cilësinë e dëshmitares në Prokurorinë Speciale, por koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje e ka refuzuar ftesën.

Mihali është ftuar nga Prokuroria Speciale që të dëshmojë për dy raste të veprave të korrupsionit të nivelit të lartë.

Bazuar në ftesë, për të cilën është në dijeni Paparaci, Mihali do duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale të premten në orën 10:00.

Ftesa ndaj saj ka shkuar me postë si thirrje e rregullt, megjithatë ajo e ka refuzuar atë.

Mihali, konkretisht është ftuar të merret në pyetje për rastet e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe kryeshefit aktual të Ujësjellësit të Mitrovicës, Faruk Mujka. Të dy këto raste janë nën hetim nga Specialja.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ndodhet nën hetime për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, në një rast që ndërlidhet me dyshimet për dallaveret me tenderë publikë. Në muajin gusht, ndaj Krasniqit është ngritur një aktakuzë për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ai rast ka të bëjë me shit-blerjen e energjisë.

Edhe Faruk Mujka, aktualisht kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mujka, i arrestuar në korrik të vitit të kaluar, dyshohet se e ke keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore.

Paparaci, e ka pyetur Prokurorinë Speciale mëngjesin e së premtes rreth ftesës për Mihalin, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga organi i akuzës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat