“Serbia u paraqit e shqetësuar, por ajo është vetë shqetësimi”/ Zaimi: Ftesë për aleancë kishte marrë edhe ky shtet

Aktuale

“Serbia u paraqit e shqetësuar, por ajo është vetë shqetësimi”/ Zaimi: Ftesë për aleancë kishte marrë edhe ky shtet

Nga: A.SH Më: 20 mars 2025 Në ora: 11:23
Foto ilustrim

Zyrtari i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Tiranë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes synon zhvillimin e industrisë mbrojtëse në rajon, përveç stërvitjeve dhe ndarjes së ekspertizës.

Ai thotë se për këtë ftesë ka marrë edhe Bullgaria, ndërsa Serbia është shprehur e shqetësuar për këtë bashkëpunim, ndonëse vetë ka investuar miliarda në armatim nga Kina, Rusia, SHBA, Franca dhe vende të tjera.

Zaimi shprehet se Ministri i Kosovës, Ejup Maqedonci, paralajmëroi se kjo marrëveshje mund të zgjerohet dhe se ajo, bashkë me një tjetër marrëveshje me SHBA-në, nuk janë aleanca luftarake, por rrisin sigurinë rajonale.

Postimi i plotë:

Në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Ftesë ka marrë edhe Bullgaria. Bashkëpunimi do të ketë në fokus zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në këtë rajon, përveç stërvitjeve e ndarjes së informacionit dhe ekspertizës.

Serbia u paraqit e shqetësuar se pse të merren vesh fqinjët e saj për të zhvilluar industri të mbrojtjes, mirëpo Serbia është vetë shqetësimi, me armatimin intensiv shumëvjeçar duke shpenzuar miliarda në pajime e teknologji kineze e ruse, amerikane e franceze, izraelite e iraniane.

Marrëveshja jonë trepalëshe që shpresojmë të jetë frutdhënëse e të bëhet katërpalëshe u bë e njohur publikisht qysh prej të dielës së kaluar, nga ministri i Kosovës Ejup Maqedonci, i cili foli për të teksa po shpallte një tjetër marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Amerikës.

Të dyja marrëveshjet nuk janë aleanca luftarake, por lëvizje që e bën më të paleverdisshme e më të kushtueshme luftën, nëse “dikush” e dëshiron.

Për t’u habitur se sa pak hapësirë morën në media lajmet e analizat për këto dy marrëveshje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat