Familja e veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Imeri, ka dalë me një shkrim në Facebook, lidhur me zhvillimet e fundit brenda LDK-së.
Ai kërkoi nga kjo parti që të marrë vendime të guximshme dhe t’i bashkohet LVV dhe Guxo-s për të formuar qeverinë e re.
“Ajo që ka ndodhur brenda LDK-së është një mësim i hidhur i marrë nga PDK-ja.
Një parti ku anëtarët i vjedhin votat njëri-tjetrit dhe ku mbretërojnë intrigat e brendshme është e destinuar të dështojë.
Zgjedhjet e ardhshme do ta dëshmojnë nëse kjo rrugë vazhdon, LDK-ja rrezikon të mos e kalojë as pragun zgjedhor”, shkroi ndër të tjera familja Imeri, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Miq, nga LDK-ja
Deputetët e LDK-së, të cilët ende besojnë në vlerat e vërteta të kësaj partie dhe duan ta shpëtojnë atë nga ndikimi i PDK-SHIK-ut, duhet të marrin vendime të guximshme.
Është koha për t’u bashkuar me GUXO dhe LVV për të krijuar një qeveri që e çon vendin përpara, larg intrigave dhe manipulimeve që e kanë dëmtuar skajshmërisht LDK-në.
Ajo që ka ndodhur brenda LDK-së është një mësim i hidhur i marrë nga PDK-ja.
Një parti ku anëtarët i vjedhin votat njëri-tjetrit dhe ku mbretërojnë intrigat e brendshme është e destinuar të dështojë.
Zgjedhjet e ardhshme do ta dëshmojnë nëse kjo rrugë vazhdon, LDK-ja rrezikon të mos e kalojë as pragun zgjedhor…
Partia e Ibrahim Rugovës, e ndërtuar mbi parime demokratike dhe vlera të shenjta kombëtare, fatkeqësisht është kapur nga ish-komunistët dhe është shfrytëzuar nga SHIK-u për interesa personale dhe grupore.
Kjo nuk është më LDK-ja e atyre që luftuan për shtetndërtim dhe demokraci, tani qshte një strukturë e deformuar nga korrupsioni dhe ambiciet personale…
Prandaj, është urgjente që ata deputetë që ende besojnë në LDK-në e vërtetë të dalin nga hijet e manipulimit dhe të marrin vendime që i shërbejnë interesit të qytetarëve, jo grupeve të errëta.
Koha për veprim është tani – përndryshe, historia do t’i gjykojë rëndë ata që qëndruan passive, ndërsa partinë e Ibrahim Rugovës e shkatërruan nga brenda dhe nga jashtë, kundërshtarët e Rugovës që uzurpuan LDK.