Rutte nuk komenton aleancën Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Aktuale

Rutte nuk komenton aleancën Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Më: 2 prill 2025 Në ora: 17:57
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot në Bruksel, nuk ka dashur të komentojë marrëveshjen për mbrojtje Kosovë-Shqipëri-Kroaci, si dhe atë midis Serbisë dhe Hungarisë.

Ai në një konferencë për media gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, tha se vendet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike janë të përkushtuara sa i përket stabilitetit dhe prezencës së tyre në rajon, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.

“(Marrëveshja) Shqipëri-Kosovë-Kroaci, kjo është jashtë – NATO nuk ka të bëjë me këtë… Por, ju lutemi, kuptoni, se unë si sekretar i përgjithshëm më duhet të përmbahem pak nga komentimi i çfarëdo zhvillimi në çdo pjesë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Iu takon individualisht vendeve aleate të vendosin. Po ka shumë këso marrëveshje dypalëshe, trepalëshe, për shembull Holanda e Belgjika bashkëpunojnë në shumë gjëra, dhe kuptohet ajo dallon nga ajo që po u adresoheni ju, por mendoj se nuk duhet të adresohem në këtë çështje”, ka thënë Rutte.

Rutte ka thënë që situata e sigurisë në Kosovë është shumë e rëndësishme dhe se serbët duhet të punojnë për llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjska.

“Nuk e bëra një lidhje direkte (Ukrainën) me situatën në Kosovë, sepse mendoj se KFOR-i është i rëndësishëm, forcat e BE-së në Bosnje e Hercegovinë janë të rëndësishme, ato punojnë ngushtë së bashku, andaj mendoj se situata e sigurisë në Kosovë është shumë e rëndësishme për ne dhe duhet të sigurohemi që stabiliteti i arritur që nga viti 1999 të vazhdojë. Sa u përket ngjarjeve në Banjskë dhe sulmit ndaj forcave të NATO-s në vitin 2023, serbët duhet të punojnë për të mbajtur përgjegjësi. Kjo ishte tema e diskutimit tonë me presidentin (e Serbisë Aleksandar) Vuçiq në telefon, si dhe gjatë darkës që kishim në Bruksel dy javë më parë”, ka thënë Rutte.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat