Bllokimi nga opozita/ Kurti: Ata që s’pranuan ta merrnin mandatin e deputetit po kërkojnë që të mos jem kryeministër

Aktuale

Bllokimi nga opozita/ Kurti: Ata që s’pranuan ta merrnin mandatin e deputetit po kërkojnë që të mos jem kryeministër

Më: 16 prill 2025 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 11:10 më 16.04.2025
Foto nga vendngjarja

Qeveria në detyrë miratoi një huamarrje për Telekomin

Qeveria në detyrë ka emëruar bordin e drejtorëve të Ndërmarrjes Publike "Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor" në Prizren.

Ylber Elshani do të jetë kryesues, Agim Muqaj anëtar, Selvete Gjikolli anëtar dhe Sylejman Gashi anëtar, raporton KosovaPress.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe huamarrjen në vlerë prej 10 milionë euro për Telekomin të Kosovës.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se Telekomi po vazhdon të përballet me vështirësi.

"Ndërmarrja në fillim të mandatit kishte vështirësi të shumta financiare dhe organizative për shkak të abuzimit gjatë viteve të kaluara. Ndërmarrja ka arritur të këndellet. Vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha. Në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë, propozojmë që të miratohet kjo kredi e likuiditetit", tha Murati.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe plani i veprimit 2025-2026 për zbatimin e strategjisë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali.

"Plani shënon ndërtimin e një shoqërie të barabartë, ku komunitetet trajtohen me të drejta të plota dhe të barabarta", ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kurti thotë se nuk lejojnë vakum institucional dhe se janë të gatshëm për formim të Qeverisë

Kryeministri më detyrë, Albin Kurti tha se mbledhja e sotme e qeverisë është e lejueshme, dhe siç shtoi ai edhe e detyrueshme sipas ligjit.

Në fillim të mbledhjes së kabinetit, ai u shpreh se në të kundërtën do të krijohet vakum institucional, raporton KosovaPress.

"Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit. Është kërkesë dhe insistim, i pamatur duke e lënë shtëpinë pa zot shtëpie", tha Kurti.

Kurti shtoi se janë të interesuar për formimin e qeverisë.

"Si fitues të padiskutueshëm jemi shumë të interesuar qe të ecim përpara drejt formimit të institucioneve. Si qeveri në detyrë jemi shumë të vëmendshëm që të mos lejojmë vakum institucional", shtoi ai.

"Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare nuk votuan për verifikimin e mandateve. Në theks ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit, po kërkojnë nga unë qe formalisht të mos jem kryeministër", tha ai.

Gjatë ditës së martë u pamundësua konstituimi i Kuvendit të Kosovës shkaku i mos votimit të Raportit të komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur.

Kurti: Konstituimi i Kuvendit u pamundësua nga opozita dhe Lista Serbe

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, tha se konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputetë.

“Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër”, tha Kurti, raporton RTKLive.

Ai shtoi se kabineti qeveritar është në detyrë dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur sipas tij është përmbushur mandati i rregullt dhe i plotë katër vjeçar.

“Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësit që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha ai.

Sipas tij kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pa ndërprerë të shtetit në zbatim të kushtetutës dhe të ligjeve të republikës.

Sot mblidhet Qeveria, nuk dihet rendi i ditës

Qeveria në detyrë e Kosovës do të mblidhet sot në orën 10.00. Mbledhja u caktua nga Albin Kurti,  i cili tha dje se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Kjo mbledhje vjen një ditë pasi opozita ua kundërshtoi kryeministrit dhe ministrave verifikimin si deputetë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me arsyetimin se nuk e kanë bërë këtë me kohë.

Nuk dihet ende rendi i ditës i kësaj mbledhjeje.

Priten detaje të radhës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat