​Qytetarët protestojnë para Kuvendit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Aktuale

​Qytetarët protestojnë para Kuvendit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Më: 19 prill 2025 Në ora: 17:39
Foto ilustrim

Një numër qytetarësh janë mbledhur sot para Kuvendit të Kosovës për të protestuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Është protesta e tretë e organizuar nga grupi i qytetarëve “Asnjë cent më shumë”, ku kanë shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të fundit energjetike dhe ndikimit të tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta “Shkarkojeni bordin,” “ZRRE nuk na përfaqëson”, “Energjia nuk është luks, është nevojë”, “Qytetarët nuk janë bankomat”, duke kërkuar nga institucionet që të mos miratojnë tarifat e reja prej 16 për qind nga data 1 maj.

Ali Sefaj nga organizatorët e protestës, thotë se janë mbledhur për të kundërshtuar vendimin e rregullatorit të energjisë.

Ai tha se vendimi për shtrenjtimin e rrymës nga ZRRE më 11 prill është marrë përkundër kundërshtimeve dhe thirrjeve për mos shtrenjtim.

Sefaj tha se Kuvendi i Kosovës duhet ta shkarkojë Bordin e ZRRE-së dhe të emërojë një bord tjetër.

Sefaj: Kuvendi duhet ta shkarkojë Bordin e ZRRE-së

“Jemi mbledhur në protestën e tretë për ta kundërshtuar vendimin e rregullatorit të energjisë, këtë vendim arbitrar i cili varfëron qytetarët, bizneset dhe i bie në rrugë, i lënë njerëzit pa punë, e neve na vështirëson gjendjen ekonomike. Ky vendim është marrë pa e marrë për bazë asnjë koment, asnjë konsultë, asnjë rekomandim, pa marrë për bazë komentet e presidentes, Avokatit të Popullit, të Ministrisë së Ekonomisë, odave ekonomike dhe të qytetarëve të Kosovës. Por a e dini propozimet dhe komentet e kujt i kanë marrë për bazë, i kanë marrë të KEDS-it dhe mafisë energjetike, sepse ata nuk e përfaqësojnë interesin publik, ata nuk përfaqësojnë institucionet e Kosovës, ata nuk na përfaqësojnë neve, andaj kërkojmë shkarkim. Sot i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që të ndjekë rrugën ligjore të konstituimit, dhe vendimin e parë që ta merr, ta merr shkarkimin e këtij bordi të pa përgjegjshëm dhe të pa ligjshëm dhe të emërojë një bord të përgjegjshëm me njerëz që përfaqësojnë publiken dhe republikën dhe vendimi i parë i tyre të jetë anulimi i këtij vendimi të paligjshëm”, potencoi Sefaj.

Besnik Shabiu, nga organizatorët e protestës, u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe ta humbin besimin, ai theksoi se misioni është i qartë dhe siç e kanë filluar do ta përfundojnë bashkë rrugëtimin.

Shabiu: Gjykata ta rrëzojë vendimin për shtrenjtimin e rrymës

Mos u dorëzoni, mos e humbeni besimin, ata po donë që të dorëzojnë, po na thonë nuk jeni shumë, por ne jemi shumë, jemi prej fillimit bashkë, misioni është i qartë, qëndrimi është i qartë deri në fund siç e kemi nisur bashkë rrugëtimin bashkë do ta përfundojmë, shumë shpejt ditët e fitores janë afër, po presim edhe gjykata shumë shpejt ta rrëzojë këtë vendim”, tha ai.

Sali Aliu, qytetar, thotë se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë nç shportën e qytetarëve.

Aliu: Populli është duke vuajtur, edhe ashtu jemi të varfër

“Populli është duke vuajtur, nuk i kemi gjithë ato rroga. Unë për veti i kam 100 euro që nuk kam punuar... këta qeveritarët e kanë tre mijë euro rrogën, ne e kem diku 300 euro 400 euro, edhe qysh ta përballojmë”, tha ai.

Një tjetër qytetarë, Enver Maloku, thotë se e sheh një absurd të madh. Ai thekson se edhe me këto çmime që janë tani është e papërballueshme, duke pasur parasysh pensionet që kanë:

Maloku: Shtrenjtimi i rrymës, absurd i madh

“Unë e shoh absurd të madh, dorën në zemër, ku t’i marrim ato para me ia dhënë. Ne edhe këto, me këtë çmim që e kem këto pensione që i kem mezi po ia dalim në fund. Jo tash nëse dikush ka paguar 20 euro 30 euro, tash do të paguajë 50, 60, 70, mos të bisedojmë për një familje që e kapërcen bllok tarifën. Nuk ka shans teorike ai që e ka një lavatriçe, një makinë të enëve, një bojler nuk ka shans teorike të kalojë 800 kilovatë”, potencoi ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 11 prill vendosi që rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve të jetë 16.1%,.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat