​Vjosa Osmani dënon dhunën ndaj futbollistit Belgin Jashari

Aktuale

​Vjosa Osmani dënon dhunën ndaj futbollistit Belgin Jashari

Më: 26 prill 2025 Në ora: 16:47
Belgin Jashari

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dënuar ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri Belgin Jashari, duke thënë se ky është akt i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm në shoqërinë tone.

Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm direkt ndaj vlerave tona të njeriut.

“Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti. Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t'i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje”, ka shkruar Osmani.

E para e shtetit ka theksuar se dhuna dhe urrejtja nuk kanë vend në sport dhe shoqërinë tonë, dhe se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenohet dinjiteti dhe siguria e rinisë së Kosovës.

“Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan! Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!”, ka porositur Osmani.

15-vjeçari Belgin Jashari, futbollist i KF Fushë Kosova, dyshohet se është sulmuar fizikisht gjatë një ndeshje futbolli, nga një prind i një futbollisti tjetër.

Sulmin e ka dënuar edhe FFK-ja, e cila ka thënë se në bashkëpunim me klubin e futbollit Fushë Kosova do të zhvillojë disa aktivitete në mbështetje të Belgin Jasharit, ndërsa ai do të vizitohet edhe nga presidenti Agim Ademi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat