Kryetari i Gjykatës Supreme takon delegacionin britanik

Aktuale

Kryetari i Gjykatës Supreme takon delegacionin britanik

Më: 28 prill 2025 Në ora: 19:29
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, priti sot në takim një delegacion nga Ambasada Britanike në Prishtinë, të udhëhequr nga Altina Besimi, zyrtare për Zbatim të Politikave – Sundim të Ligjit.

Takimi u fokusua në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në kuadër të projektit katërvjeçar Judicial Integrity (Integriteti Gjyqësor), i cili së fundi ka marrë aprovimin për zbatim.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e forcimit të pavarësisë së gjyqësorit nga ndikimet politike, rritjen e transparencës dhe qasjes së publikut në sistemin e drejtësisë, si dhe përmirësimin e llogaridhënies, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

Kryetari Rexhepi falënderoi Qeverinë Britanike për mbështetjen e vazhdueshme dhe mirëpriti projektin e ri si një mundësi e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit qytetar në drejtësi. Ai potencoi se fushat e parashikuara për bashkëpunim janë jetike për gjyqësorin në fazën aktuale të zhvillimit dhe reformave në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat