Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe pas përpjekjes së tetë, një situatë që ka shkaktuar bllokada politike.
Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare mori vetëm 54 vota, ndërsa për shkak të mosarritjes së shumicës, Kuvendi do të mblidhet përsëri të enjten.
Në lidhje me këtë zhvillim, politologu Melazim Koci ka komentuar situatën, duke theksuar se ky dështim është një pasojë e një boshllëku të dukshëm në Kushtetutë.
Sipas Kocit, një nga problemet kryesore që ka krijuar këtë bllokadë është mosparashikimi i qartë të procedurës për rastet kur grupimi i parë nuk arrin shumicën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
“Është dashur të parashihet, se çfarë nëse grupimi i parë nuk arrin shumicën, cila është ajo kohë që duhet ta konsumojë grupimi i parë, dhe a i kalon partisë së dytë e drejta për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këto çështje kanë mbetur pezull dhe këto janë duke i shfrytëzuar, në këtë rast VV-ja, po e shfrytëzon këtë zbrazëti në Kushtetutë”, ka thënë Koci.
Sipas Kocit, problemi qëndron te vetë neni 67, i cili nuk ka parashikuar qartë se si duhet të trajtohet një situatë të tillë.
Ai shton se Gjykata Kushtetuese, si në të kaluarën ashtu edhe tani, nuk ka mundësi të veprojë jashtë kufijve të këtij neni.
Ai ka shtuar për të zgjidhur këtë krizë, duhet të bëhet një ndryshim në Kushtetutë
” Këto ditë kemi dëgjuar, se vendimi i Kushtetueses i vitit 2014, e ka shkaktuar, nuk e ka shkaktuar ai vendim këtë situatë. Këtë situatë e ka shkaktuar ky nen, neni 67. Sepse vendimi i Kushtetueses vetëm e ka interpretuar, më shumë ka qenë apel politik, apel forcave politike. Sepse Gjykata Kushtetueses as atëherë nuk ka mundur të bëj më shumë as tani. Pse? Nuk mund të dal jashtë konturave të nenit 67 të Kushtueses. Sepse ky do të ishte amandamentim i Kushtetueses, pra për ta tejkaluar këtë bllokadë politike për shkak të nenit 67, Kushtetuta duhet të amandamentohet. Ndryshe, nuk mund të tejkalohet”, ka shtuar Koci.