Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka kritikuar idenë e votimit të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në seancën konstituive, duke e quajtur atë të papranueshme dhe me potencial për manipulime e blerje votash
Sipas tij, votimi i fshehtë është i paraparë për seanca të rregullta, jo për atë konstituive që ka rend dite të përcaktuar dhe rregulla të pandryshueshme. Ai akuzon Vetëvendosjen se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin, ndonëse e ka humbur mbështetjen politike.
Krasniqi sugjeron që VV të propozojë një emër konsensual ose që partitë tjera të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese për të zhbllokuar situatën.
Postimi i plotë:
Votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat janë seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit. Seanca konstituive, nga ana tjetër, është seanca e parë, themeluese e Kuvendit pas zgjedhjeve, me një rend dite të paracaktuar dhe me rregulla që nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj.
Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik.
Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast, duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Këtë të drejtë duket tashmë që veçse e ka humbur, ashtu siç ka humbur sot edhe besimin e dhënë nga PDK, e cila kishte besuar në një zgjidhje përmes dialogut.
VV duhet përfundimisht ose të propozojë një kandidat tjetër konsensual nga radhët e veta, ose partitë e tjera duhet të ndërmarrin hapa për të provokuar një vendim për të kërkuar pastaj interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në përputhje me rendin kushtetues.