Osmani ftohet nga presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore në datat 21-22 maj

Aktuale

Osmani ftohet nga presidentja e Zvicrës për vizitë shtetërore në datat 21-22 maj

Më: 12 maj 2025 Në ora: 11:17
Vjosa Osmani

Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, presidentja Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër.

Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, pra nivel më i lartë se vizitat zyrtare, dhe ndodhin shumë rrallë, prandaj edhe kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, nën të ditur se Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga homologia e saj, Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë.

Në kuadër të agjendës zyrtare, e para e vendit do të mbajë takime me presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Poashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

“Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve”, thuhet tutje në përgjigjen e Kupinës.

Sakaq, në ditën e dytë të vizitës, Osmani dhe Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies,  fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër.

E në Gjenevë, Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare.

“Bashkatdhetarët tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër, janë bërë një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve. Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të proceseve demokratike, shtetndërtuese dhe zhvillimore të vendit tonë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat