Sindikata e Punëtorëve të Pastrimit: Rama nuk takoi përfaqësuesit legjitim të punëtorëve – s’kemi asnjë zgjidhje konkrete

Aktuale

Sindikata e Punëtorëve të Pastrimit: Rama nuk takoi përfaqësuesit legjitim të punëtorëve – s’kemi asnjë zgjidhje konkrete

Më: 19 maj 2025 Në ora: 20:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi” ka njoftuar se takimi i mbajtur të hënën me përfaqësues të Komunës së Prishtinës ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete, ndërsa ka shprehur zhgënjimin për mungesën e kryetarit Përparim Rama në këtë takim.

Në një komunikatë për media, Sindikata thekson se gjatë diskutimeve kanë kërkuar trajtim të drejtë dhe të barabartë për ndërmarrjen publike, si dhe zgjidhje për pagesat e shërbimeve të kryera tash e pesë muaj, për të cilat nuk kanë marrë asnjë kompensim nga Komuna.

Kemi adresuar çështjen që po paguhen kompani private me 65 euro për ton mbeturina, ndërsa KRM ‘Pastrimi’ paguhet vetëm 35 euro për ton. Komuna nuk po bart 600 mijë euro që i ka inkasuar nga qytetarët dhe që i takojnë ndërmarrjes sonë,” thuhet në reagim.

Sindikata po ashtu ngriti shqetësime lidhur me mungesën e sigurisë në punë, mosmarrjen e pagave dhe refuzimin e Komunës për të diskutuar mbi pagesat e prapambetura. Nuk është ofruar asnjë zgjidhje për furnizim me naftë, ndërsa mbetet i paqartë fati i dy kamionëve që qëndrojnë në oborrin e Komunës, të cilët nuk janë vënë në shfrytëzim nga ndërmarrja.

“E vetmja gjë që na është thënë është gatishmëria për të nënshkruar kontratë për mbeturina sipërfaqësore dhe që vetëm do të ‘shihen mundësitë’ për furnizim me naftë,” thuhet më tej.

Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, Bekim Brestovci, ka deklaruar se është i gatshëm për nënshkrimin e një kontrate të re në vlerë prej 1.5 milionë euro për punë shtesë.

“Jemi dakorduar që nga sot, me një person të autorizuar nga ‘Pastrimi’, të nënshkruajmë kontratën që është në tavolinë që nga 28 dhjetori,” deklaroi Brestovci pas takimit me dy grupet sindikale – zyrtarët dhe përfaqësuesit e punëtorëve.

Pavarësisht kësaj deklarate, Sindikata thekson se nuk është arritur asnjë marrëveshje zyrtare dhe se nuk ka asnjë premtim konkret për zgjidhjen e kërkesave të tyre të vazhdueshme. Ata kërkojnë urgjentisht stabilitet financiar për pagat dhe mjete operacionale për të rifilluar punën në terren.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat