Fetoshi: Reagimi i Petkoviqit, shpifje në ‘korin e kukuvajkave’

Aktuale

Fetoshi: Reagimi i Petkoviqit, shpifje në ‘korin e kukuvajkave’

Më: 20 maj 2025 Në ora: 22:39
Petar Petkoviq

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së Petar Petkoviqit pas qëndrimit të Listës Serbe lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në objektin e ndërmarrjes “Ibër - Lepenci” afër Ujmanit në Zubin Potok.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Fetoshi ka theksuar se ky reagim nuk është asgjë më shumë se një vazhdimësi e propagandës së njohur të Serbisë që synon viktimizimin dhe sabotimin e institucioneve të Kosovës.

“Reagimi i Petkoviqit pas deklaratës së Listës Serbe për aksionin e policisë në objektin e ndërmarrjes ‘Ibër - Lepenci’ afër Ujmanit në Zubin Potok, nuk është vetëm një shpifje e re në ‘korin e kukuvajkave’ të strategjisë së vjetër, por edhe një sulm perfid që keqpërdor Kryqin e Kuq, KFOR-in dhe fëmijët”, shkroi ai.

Fetoshi ka sqaruar më tej se objekti ku është kryer aksioni nuk ka lidhje me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, siç është dokumentuar edhe nga OSBE, duke kërkuar që kjo organizatë të reagojë ndaj keqpërdorimit të saj nga propaganda serbe.

“Megjithëse objekti ‘Dragisa Murganiq’ s’ka lidhje me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar (e ka dokumentuar OSBE) dhe do të ishte me rëndësi që kjo organizatë humanitare ta demantojë instrumentalizimin, Petkoviq vajton ‘fëmijët e kursantët’, me qëllim të nxitjes së reagimeve emocionale, kurse ‘harron’ se ai vetë dhe kriminelë serbë në veri po i keqpërdorin fëmijët për qëllime politike, siç ishte rasti me protestën e inskenuar të nxënësve, para pak ditësh, kundër mbylljes së institucioneve paralele në veri”, shtoi Fetoshi.

Ai ka theksuar se narrativat që përdorin fraza të tilla si “ndërhyrja godet themelet e ekzistencës së popullit serb në Kosovë” apo “falangat e Kurtit” janë shembuj të propagandës më të egër, që synojnë demonizimin e institucioneve dhe sabotimin e shtetit të Kosovës.

“Formulime të tilla si ‘ndërhyrja godet themelet e ekzistencës së popullit serb në Kosovë’ apo përdorimi i togfjalëshit ‘falangat e Kurtit’, janë trajta më ekstreme të narrativave të njohura të ‘viktimizimit’ dhe ‘persekutimit të serbëve’, që synojnë demonizimin e institucioneve dhe sabotimin e shtetit të Kosovës”, nënvizoi drejtori i Octopusit.

Fetoshi ka paralajmëruar se pas kësaj retorike qëndron një përpjekje për të thelluar ndarjet etnike dhe për të manipuluar komunitetin serb në veri të Kosovës.

“Duke e ashpërsuar tonin, Serbia ‘kujdeset’ që ta thellojë ndarjen etnike në Kosovë dhe të përhapë frikë te serbët, në mënyrë që t’i mobilizojë e manipulojë më lehtë për qëllime hegjemoniste. Zëri i orkestruar i propagandës, që keqpërdorë fëmijë e simbole humanitare për të maskuar aktivitetet kriminale të strukturave paralele, është zëri shurdhues i një lufte që tenton të mashtrojë përmes rolit të ‘viktimës’”, përfundoi Fetoshi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat