Gjinekologu Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë rreth orës 21:30 nga një person i panjohur i cili e ka goditur në kokë me mjet metalik.
Lidhur me këtë incident, ka folur Oda e Mjekëve të Kosovës.
Në deklaratën e tyre thuhet se janë në pritje të informacioneve nëse rasti ka të bëjë me të qenit mjek apo në lidhje me ofrimin e shërbimeve.
“Jemi duke e përcjell ngjarjen dhe nuk kemi informacione nëse ka të bëjë me të qenit mjek apo në lidhje me ofrimin e shërbimeve. Krejt kjo pasi rasti ka ndodhur jashtë hapësirave ku jepen shërbimet”, thuhet më tej në deklaratën e Odës së Mjekëve.
Ndërkohë, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha se motivi i sulmit mbetet i panjohur dhe se janë në kërkim të të dyshuarit i cili pasi goditi mjekun, është larguar nga vendi i ngjarjes.
“Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, tha policia. Për këtë ngjarje, edhe Prokuroria ka nisur hetimet.
Ndërkaq, gjinekologu Veliu është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Jam mirë”, u përgjigj shkurtimisht mjeku i cili ka pranuar trajtim mjekësor.