Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër, duke qëndruar në kantonet Thurgau dhe St. Gallen, ku është pritur me nderime nga autoritetet lokale zvicerane.
Në një postim në Facebook, Osmani ka vlerësuar lart mikpritjen dhe vlerat që e karakterizojnë shtetin zviceran, duke e cilësuar atë si një model për t’u ndjekur në shumë fusha.
“Ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër e filluam në kantonin e Thurgau dhe atë të St. Gallen, njëherit vendlindja e Presidentes Karin Keller-Sutter. Kënaqësi të përjetojmë nga afër historinë e pasur, kulturën e veçantë dhe inovacionin që e bën Zvicrën një shembull frymëzues për mbarë botën”, ka shkruar Osmani.
Vizita në këto dy kantone përfshiu takime me përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe vizita në qendra kulturore e shkencore që tregojnë përkushtimin e Zvicrës ndaj përparimit teknologjik dhe vlerave demokratike.
Kjo vizitë shtetërore synon të forcojë marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Zvicrës, një vend që historikisht ka qenë mbështetës i fortë i pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës, si dhe vend mikpritës për një pjesë të konsiderueshme të diasporës shqiptare.