Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, deklaroi se polici që ka ndërhyrë para pak ditësh në një incident në veri të Kosovës me të rinjtë serbë, ka vepruar drejt dhe sipas autorizimeve.
“Veprimi i tij ka ndodhur pasi të miturit brohorasin, njëri nga ta ndalet në drejtim të qytetarëve që ishin në një kafeteri aty, shqiptarë. Pas ofendimeve që kanë ndodhur nga ana e të miturve, një qytetar i Republikës së Kosovës, sipas të gjitha gjasave nga komuniteti shqiptar, emocionalisht e ka përballur një ofendim të tillë dhe ka reaguar në aspektin emocional”.
“Polici duke parë që mund të tensionohet situata, ka ndërhyrë shpejt dhe e ka kapur atë fëmijë dhe ka tentuar që ta largojë dhe ta mbajë situatën nën masa të kontrollit”, deklaroi Shala në emisionin Ora 7.
Tutje, sipas tij, i gjithë rasti ka qenë i inskenuar nga Serbia dhe se frika nga ana e Policisë së Kosovës ka qenë edhe që polici mund të kidnapohej.
“Serbia tashmë po tenton të rekrutojë personel të ri, maturantë, i cili i ka munguar deri më tani për të krijuar trazira”.
“Është një doktrinë e re e cila në njërën anë, në qoftë se ti vepron ndaj një të mituri të rritur, automatikisht te faktori ndërkombëtar del si tepër agresor, ndërsa ata janë të moshës 17-19 vjeç dhe janë potencialë për të kryer veprime dhe frymëzohen në aspektin doktrinar për të kryer situata që kemi parë”, sqaroi Shala.