Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar pas intervistimit që iu bë ditën e marte nga organet e drejtësisë.
Ai përmes një postimi në Facebook shpreh mirënjohje për shqetësimin dhe solidaritetin e treguar nga qytetarët me rastin e intervistimit të tij, përcjell “Bota sot”.
Peci shton tutje që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur pasi punën e bërë ka qenë gjithmonë e drejtë për fermerët e vendit.
Postimi i plotë
Të dashur qytetarë, miq e familjarë;
U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!
Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.
Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.
Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!