Lëvizja Vetëvendosje preferon që zgjedhjet lokale të mbahen në datat 5, 12 apo 19 tetor të vitit 2025.
Sipas kësaj partie, është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen sa më shpejtë. Madje, në Lëvizjen Vetëvendosje zanë të interesuar që në rast se s’ka zhbllokim të krizës politike të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të njëjtën datë me zgjedhjet lokale.
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas takimit konsultativ me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me zgjedhjet lokale, tha se ditëve në vijim do të shpallin kandidaturat për kryetarë të komunave.
Megjithatë, sipas saj, presidentja, bëri të ditur se para shpalljes së dekretit për datën e zgjedhjeve lokale do të konsultohet edhe me KQZ-në, pasi ata janë në përgatitje të disa rregulloreve për zgjedhje lokale.
Haxhiu: Zgjedhjet lokale të mbahen sa më shpejtë aq më mirë
“Është jashtëzakonisht me rëndësi që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt aq më mirë. Tani nëse zgjedhjet shpallen nesër është mundësi data 5 tetor, po ashtu 12 tetor apo 19 tetor. Këto ishin tri datat që u përmenden më së shumti. Në fakt shumica e përfaqësuesve apo kryetarëve të partive politike ishin për 12 tetor apo 19 tetor. Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje qëndrimi ishte që sa më herët aq më mirë, duke pasur parasysh se mund të kemi edhe balotazh”, tha ajo.
E pyetur për shpalljen e kandidaturave për kryetarë të komunave dhe koalicionet me parti politike, ajo tha ende nuk kanë detaje, por shtoi se kryetarët aktualë nga Lëvizja Vetëvendosje do të rikandidohen, ndërkaq për të tjerët, kandidaturat do të shpallen me kohë.
Haxhiu: Secilin prej kandidatëve do të publikohet me kohë
“Secilin prej kandidatëve apo kandidatëve do të publikojë me kohë dhe me radhë...S’i kemi detajet sesi do të futemi në këto zgjedhje”, theksoi Haxhiu.
Në anën tjetër, Haxhiu tha se edhe në takimin me presidenten Osmani u diskutua kriza aktuale politike, mirëpo siç tha ajo me mikrofona mbyllur.
Sipas saj, presidentja Osmani porositi qëndrimet e njëjta sikurse në të kaluarën që të gjendet një zgjidhje për të dal nga kriza aktuale politike.
Sot dështoi për herë 26-të konstituimi i Kuvendit, derisa Haxhiu tha se nëse vazhdohet kështu dhe s’ka vullnet për formim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, atëherë është e rëndësishme që zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare të mbahen të njëjtën datë me ato lokale.
Haxhiu: Zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen të njëjtën datë me ato lokale
“Presidentja edhe në letrën që i kishte dërguar kryesuesit të seancës kishte thënë se të gjitha partitë politike duhet të gjejnë mënyrën për të dalë nga kjo situatë. Të njëjtat qëndrimi i paraqiti edhe sot. Normalisht jo me mikrofona hapur por gjatë fazës së konsultave. Ishte një ide që të shpallen të palë zgjedhje, ato të jashtëzakonshme dhe ato lokale. Qëndrimi jonë është për. Për neve është e rëndësishme të konstituohet kuvendi dhe të formohet qeveria, por nëse s’ka vullnet atëherë ne nuk po shohim zgjidhje. Edhe PDK-ja u pajtua. Ideja ishte e imja pasi edhe sot e përmenda dhe isha e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë. Ju e dini se duhet të konstituojmë Kuvendin dhe shpërndajmë Kuvendin mirëpo edhe për këtë nevojitet marrëveshje politike”, përfundoi ajo.
Kujtojmë, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar edhe pas 26 seancave të deritanishme pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme. Vazhdimi i njëzeteshtatë është thirrur për ditën e enjte.