FSK merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar `Golden Sabre 25`

Aktuale

FSK merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar `Golden Sabre 25`

Më: 10 qershor 2025 Në ora: 18:22
FSK merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar `Golden Sabre 25`

Për herë të parë, Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Golden Sabre 25”, të organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR.

FSK njofton se në këtë ushtrim marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë nga vende partnere dhe aleate, me fokus në forcimin e ndërveprueshmërisë dhe testimin e reagimit të koordinuar ndaj krizave.

Përfshirja e njësive specialistike të FSK-së përfaqëson një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin me KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe institucionet civile, duke dëshmuar avancimin e kapaciteteve të saj sipas standardeve të NATO-s.

"Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë për herë të parë në ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre 25”, të organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë. Pjesëmarrja e njësive specialistike të FSK-së në një ushtrim të këtij konteksti, përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mes të KFOR, FSK dhe PK.

Ky aktivitet që mbledh rreth 600 pjesëmarrës nga vende të ndryshme partnere dhe aleate, është i projektuar të forcojë ndërveprueshmërinë dhe për të testuar gatishmërinë dhe përgjigjen e koordinuar ndaj krizave, në një mjedis kompleks operacional.

Angazhimi i FSK në këtë kontekst shumëkombësh, me kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare, përbën një dëshmi të qartë të avancimit të aftësive tona institucionale, në realizimin e detyrave kyçe për ofrimin e mbështetjes së autoriteve civile dhe në përputhje me standardet e NATO-s.

FSK po vazhdon të thellojë angazhimin e saj në iniciativa të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritet të qëndrueshëm dhe në vizionin e një vendi të sigurt, të integruar dhe të gatshëm për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global", thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat