MPJD thirrje bashkatdhetarëve: Shmangni kalimin përmes pikë-kalimeve kufitare me Serbinë

Aktuale

MPJD thirrje bashkatdhetarëve: Shmangni kalimin përmes pikë-kalimeve kufitare me Serbinë

Nga: M.L. Më: 11 qershor 2025 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar përsëri në lidhje me ndalimin nga Serbia të ish policit të Kosovës, Arbnor Spahiu.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

“Në këto rrethana, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë dhe në të njëjtën kohë, inkurajohen të gjithë qytetarët që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre”, thuhet në reagim.

Ministria thekson se rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke e ndjekur nga afër situatën dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i MPJD-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat