Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kosovare Murseli, ka folur pas dështimeve të njëpasnjëshme të seancave të Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si një degradim të funksionimit parlamentar dhe mungesë të përgjegjësisë institucionale.
Murseli tha se seancat po kthehen në formalitet të zbrazët, kërkohet pezullimi i tyre deri në zhbllokim real.
“Fatkeqësisht seancat e Kuvendit që po thirren çdo 48 orë kanë humbur kuptimin dhe seriozitetin që kërkon një institucion i tillë. Ato janë kthyer në një formalitet të zbrazët, pa përmbajtje dhe pa vullnet real për zgjidhje.” tha ajo.
Ajo kritikoi qasjen politike që, sipas saj, po bllokon funksionimin e institucioneve për shkak të inateve politike.
“Si deputete e këtij Kuvendi dhe përfaqësuese e qytetarëve, nuk mund të pajtohem me këtë lojë të papërgjegjshme politike, që nuk i shërben as qytetarëve, as rendit kushtetues, as interesit kombëtar,” theksoi Murseli.
Deputetja e PDK-së vlerësoi se situata aktuale nuk është vetëm e papranueshme politikisht, por edhe në kundërshtim me përgjegjësitë ligjore e kushtetuese që kanë deputetët dhe Kuvendi si institucion.
“Është krejtësisht e pajustifikueshme që për inate politike po bllokohet funksionimi i institucioneve. Ne kemi përgjegjësi të qarta ligjore dhe kushtetuese, dhe kjo situatë po i shkel të dyja,” deklaroi ajo.
Murseli ka propozuar pezullimin e përkohshëm të seancave, deri në një moment kur të ekzistojë vullnet serioz për ta zgjidhur situatën.
“Në këtë kontekst, mendoj se është e arsyeshme dhe e nevojshme që këto seanca të pezullohen përkohësisht, deri në një moment kur të ketë vullnet serioz për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zhbllokimin e punës institucionale,” u shpreh ajo.
Murseli theksoi se qytetarët meritojnë institucione funksionale dhe përfaqësim me integritet.
“Qytetarët meritojnë stabilitet, seriozitet dhe përfaqësim dinjitoz, jo kriza të fabrikuara dhe bllokada të pafundme,” përfundoi ajo.