Babai i gruas së Arbnor Spahiut-shtetit: Çohuni, mbroni bijtë tuaj

Aktuale

Babai i gruas së Arbnor Spahiut-shtetit: Çohuni, mbroni bijtë tuaj

Më: 16 qershor 2025 Në ora: 19:39
Arbnor Spahiu

Misin Metaj, vjehrri i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, i cili tash e sa ditë po mbahet i burgosur në Serbi, i ka kërkuar institucioneve që të reagojnë për ndalimin e qytetarit të tyre nga autoritetet serbe.

Metaj iu drejtua institucioneve shtetërore duke thënë se “a ka mbetur kush që i dëgjon hallet e qytetarëve të vet?”, duke shtuar se vajza e tij, Arjeta, çdo ditë po udhëton drejt Serbisë për të kërkuar drejtësi për bashkëshortin e saj.

“A është kjo detyra e një shteti? Që t’u kthejë shpinën atyre që i kanë shërbyer me nder? Ku janë institucionet tona? Ku janë ata që betohen se do të mbrojnë qytetarët e vet?”.

“Nuk është vetëm Arbnori që po vuan – po vuan edhe familja, po vuan edhe bashkëshortja e tij, dhe po vuan edhe çdo prind që sheh se si drejtësia po zbehet përballë padrejtësisë”.

Tutje, ai u shpreh se vajza e tij, bashkëshortja e ish-policit po lufton e vetme për të drejtën që duhej t’ia garantonte shteti i Kosovës.

“Mjaft më me heshtje! Ne nuk kërkojmë lëmoshë – kërkojmë drejtësi! Kërkojmë që shteti ynë të zgjohet dhe të mbrojë bijtë e vet”, shkroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat