Korporata Energjetike e Kosovës ka premtuar se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, pas raportimeve të mungesës së theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike.
“Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, këtë ta kemi të qartë”, kështu ka deklaruar kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, në një konferencë për media.
“Ne sot kemi deklaruar kapacitetet e prodhimit të cilat i kemi planifikuar për nesër. Ka pasur pasiguri nga ekipi i termocentralit ‘Kosova A’, për ta deklaruar atë kapacitet. Kjo është keqkuptuar dhe janë dhënë deklarata të ndryshme, me të cilat ne nuk merremi me to, që KEK-u për herë të parë pas 25 vjetëve nuk prodhon asnjë megavat brenda ditës. Kjo nuk është e vërtetë, ne jemi angazhuar maksimalisht dhe kemi bërë korrigjim të kapaciteteve që njësia A3 do të prodhojë edhe nesër”, ka thënë ai.
KESCO sot paralajmëroi se nga nesër e ditëve në vijim pritet që të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë elektrike, duke u kërkuar qytetarëve kursim të shfrytëzimit të energjisë elektrike.
Lajmin e mohoi KEK, duke thënë se operimi po vazhdon normalisht dhe duke shtuar se nuk ka kolaps në prodhim. Ata kanë thënë se po punojnë në sanimin e defekteve të shfaqura në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Arsyetimi i tyre ka qenë që ato janë “të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paparashikueshme”.