Xhafer Tahiri sërish kandidat i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë

Aktuale

Xhafer Tahiri sërish kandidat i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë

Më: 20 qershor 2025 Në ora: 20:51
Xhafer Tahiri

Xhafer Tahiri do të rikandidojë për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një deklaratë publike të shpërndarë të premten, Tahiri ka konfirmuar rikthimin e tij në garën për zgjedhjet lokale, duke e cilësuar këtë vendim si rezultat i një “reflektimi të gjatë” dhe konsultimeve të shumta me qytetarë, familjarë dhe bashkëpunëtorë.

“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, po i rikthehem garës për kryetar të komunës sonë. E bëj këtë me një ndjenjë të thellë përgjegjësie, dashurie dhe përkushtimi ndaj qytetit tonë”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka theksuar se vendimi nuk është i udhëhequr nga ambicia personale, por nga ndjenja se “ka ende shumë punë për të përfunduar” dhe shumë projekte që presin realizimin.

Duke folur për përvojën e tij të mëparshme si kryetar komune, Tahiri ka thënë se nuk ka premtuar mrekulli, por ka punuar me përkushtim për të realizuar premtimet e dhëna qytetarëve.

Në mesazhin e tij, ai u është drejtuar qytetarëve me ftesën për të ndërtuar së bashku një “kapitull të ndritur” për Vushtrrinë, duke ofruar një qasje të ndershme dhe të përkushtuar ndaj qeverisjes lokale.

“Vushtrria nuk ka nevojë për spektakël, ka nevojë për punë”, theksoi ai, duke shtuar se ndjehet më i gatshëm se kurrë për të vazhduar projektet e nisura në mandatin e kaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat