​PDK me aksion simbolik, deputetët qëndrojnë në sallë pas dështimit të seancës

Aktuale

​PDK me aksion simbolik, deputetët qëndrojnë në sallë pas dështimit të seancës

Më: 1 korrik 2025 Në ora: 12:52
Foto ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar simbolikisht në sallë pas dështimit të dyzet për konstituim të Kuvendit. Deputetja Vlora Çitaku tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari po e shkel Kushtetutën. Ajo i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim dhe për kthim në rend të ditës.

Pas dështimit të dyzet për konstituim të Kuvendit, Çitaku tha se është e turpshme se si seancat po përfundojnë për dy minuta.

Çitaku: Edhe sot Dehari e shkeli Kushtetutën

“Fatkeqësisht, edhe sot, sërish me vetëdije të plotë, zotëri Dehari, Lëvizja Vetëvendosje po e shkelin Kushtetutën. I bëjmë thirrje edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, të kthehemi në sallë pasnesër, t’i kthehemi rendit të ditës, të konstituojmë Kuvendin e Kosovës dhe të bëjmë punën tonë. Puna jonë nuk është që të vijmë këtu e të defilojmë çdo 48 orë, puna jonë është të ndërtojmë institucionet, të ndërtojmë qeverinë, të merremi me hallet e sfidat e qytetarit të Republikës së Kosovës e jo me egon e zotëri Kurtit. Ne qëndruam simbolikisht në sallë edhe herën e kaluar edhe sot më gjatë, sepse është e turpshme që të vijmë këtu e të rrijmë nga dy minuta e të largohemi sikur të mos ndodhë asgjë”, deklaroi Çitaku.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku tha se nesër do të zhvillohet takimi i ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, ku bëri të ditur se i pranishëm do të jetë kryetari Memli Krasniqi.

Çitaku: Memli Krasniqi do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja

“Ne kemi qenë vazhdimisht të gatshëm për zgjidhje dhe do të marrim pjesë, kryetari Krasniqi do të marrë pjesë në takim, shpresojmë në reflektim. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, ne besojmë që edhe zotëri Kurti të fillojë të lexojë dhe të kuptojë drejt në shqip”, përfundoi ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat