Xhavit Drenori: PDK-ja s’duhet të shtiret e habitur, të gjithë e dinë ndikimin e Thaçit e Veselit

Aktuale

Xhavit Drenori: PDK-ja s’duhet të shtiret e habitur, të gjithë e dinë ndikimin e Thaçit e Veselit

Nga: A.SH Më: 3 korrik 2025 Në ora: 09:11
Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi

Analisti Xhavit Drenori ka reaguar pas kritikave të zyrtarëve të PDK-së ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për konsultimet e vazhdueshme me Thaçin dhe Veselin nga akterë të PDK-së.

Sipas Drenorit, kjo nuk është as e re dhe as befasi, pasi në qarqet politike – sidomos në Drenas – këto konsultime janë përmendur hapur.

“Në vend që të mohojnë ose të bëjnë viktimën politike, do të ishte më e ndershme të pranojnë se trashëgimia e Thaçit e Veselit ende ka ndikim të fortë në parti”, shkruan Drenori.

Ai shton se shqetësimi i vetëm real duhet të jetë nëse deklaratat ndërhyjnë në procesin gjyqësor në Hagë, por sipas tij, jo deklaratat e Kurtit e dëmtojnë procesin, por “sjelljet e dyfishta dhe instrumentalizimi politik i drejtësisë”.

Postimi i plotë:

Nuk e di pse po çuditen disa zyrtarë të PDK-së për deklaratën e Kurtit në lidhje me konsultimet e herëpashershme me Thaçin e Veselin nga akterë të PDK-së.

A nuk është kjo një e vërtetë që flitet në çdo tavolinë politike e jo vetëm?

Madje, në Drenas sa herë që janë para vendimeve të rëndësishme – si përcaktimi i kandidatit për kryetar apo vendime të tjera partiake – nuk kanë hezituar aspak të thirren në “selamet” që kanë marrë nga Haga.

Pra, kjo praktikë s’është as e re, as e panjohur për opinionin.

Në vend që të mohojnë ose të bëjnë viktimën politike, do të ishte më e ndershme nga ta të pranonin se trashëgimia politike e Thaçit e Veselit ende ka ndikim të fortë brenda partisë dhe se vetë krerët aktualë shpesh s’bëjnë gjë tjetër veçse e ndjekin atë vijë.

Nëse ka ndonjë shqetësim për ndikim në procesin gjyqësor në Hagë, atëherë pyetja logjike është: a po shqetësohen sepse po i thotë të vërtetat Kurti, apo sepse dikush tjetër jashtë rrethit të tyre politik e bëri publike një praktikë që ata vetë e konsiderojnë “normale”?

Deklaratat nuk dëmtojnë procesin, por sjelljet e dyfishta, mohimet hipokrite dhe instrumentalizimi i drejtësisë për konsum politik – këto po.

Prandaj më mirë të reflektojnë për këtë, sesa të shtiren të habitur nga diçka që të gjithë tashmë e dinë.

P.S. Unë shpresoj dhe lutem që Thaçi, Krasniqi, Veseli, Selimi dhe të tjerët nga Haga të kthehen të pafajshëm, sepse ata atje janë shumë më shumë sesa emra të përveçëm apo të subjekteve politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat