44 herë “jo” konstituimit të Kuvendit - Deputetët e ish-opozitës vazhdojnë me seancën

Aktuale

44 herë “jo” konstituimit të Kuvendit - Deputetët e ish-opozitës vazhdojnë me seancën

Më: 9 korrik 2025 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 11:45 më 09.07.2025
Kuvendi i Kosovës

PDK kërkon dorëheqjen e Sveçlës pas vdekjes së Agon Zejnullahut

Para Kuvendit, Përparim Gruda nga PDK ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahut të riut nga Lipjani i cili vdiq në rrethana të dyshimta pas ndërhyrjes së 5 zyrtarëve policorë, duke kërkuar përgjegjësi nga organet e shtetit.

“Ne kërkojmë përgjegjësi për këtë ngjarje tragjike që na tronditi të gjithëve. Në emër të PDK-së, kërkoj dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, si një akt i papërgjegjshëm politik dhe ligjor”,  tha Gruda.

Deputetët e ish-opozitës vazhdojnë me seancën e Kuvendit

Pasi kryesuesi Avni Dehari, e mbylli seancën e 44-të të tentimit të konstituimit të Kuvendit, deputetët e ish-opozitës, PDK-së, LDK-së e AAK-së, kanë vazhduar të qëndrojnë në sallë.

Sikur edhe herave të tjera deputetët kanë nisur të mbajnë fjalimet e tyre, si shenjë proteste ndaj ndaljes së fjalës nga ana e kryesuesit Dehari.

44 herë “jo” konstituimit të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të dyzetekatërtën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Më 9 korrik, ligjbërësit refuzuan sërish që ta formonin një komision të propozuar për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të mërkurën, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Ato pretendojnë se është jokushtetuese kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje – e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhje – që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, ndërsa LVV-ja ngulmon se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.

Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 11 korrikut.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të hapura t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.

Haxhiu e LVV-së konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, por nuk shpjegoi se çfarë mund të ndodhë në rast të mosrespektimit të aktgjykimit të saj.

Partitë politike vazhdojnë ta interpretojnë ndryshe-ndryshe atë.

Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza.

Ajo e përmendi edhe mundësinë që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë./REL

Brahimaj për Deharin: E kanë gjet një fatkeq, gjyshin plak e kanë qitë aty

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj ka thënë se nuk do ta votojë Albulena Haxhiun në asnjë rrethanë.

Para mediave, ai u shpreh i hapur për votim në rast se ndryshohet emri i kandidatit.

Pos kësaj deklarate, deputeti tutje tha se VV-ja nuk është e interesuar t’i bëjë numrat.

“VV nuk është e interesuar t’i bëjë numrat, në çdo seancë ka mungesë të deputetëve të kësaj partie, e kanë gjet një fatkeq, gjyshin plak e kanë qitë aty i cili nuk ka të drejtë me dalë prej rendit të ditës të cilën e ka bo kryesia e parlamentit paraprak.

Personalisht me këtë propozim që e ka VV nuk e votoj në asnjë rrethanë, në Aleancë ka demokraci, unë këtë person nuk e votoj”, u shpreh Brahimaj

Kusari-Lila: Më e thjeshta është të marrin pjesë në votim dhe të tejkalohet ngërçi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë para seancës së sotme konstituive se zhbllokimi i situatës në Kuvend mund të bëhet në mënyrën më të thjeshtë,  përmes pjesëmarrjes në votim.

“Sot të marrin pjesë në votim,  pro, kundër apo abstenim, dhe të tejkalohet ky ngërç. Kjo është më e thjeshta”, tha Kusari-Lila, para gazetarëve. 

Ajo shtoi se të gjithë deputetët që po reflektojnë pozitivisht në këtë situatë janë të bindur se pozita e kryetarit të Kuvendit i takon grupit parlamentar të VV-së. 

“Kjo situatë duhet të zhbllokohet dhe ata mund ta përkthejnë këtë qëndrim nga retorikë në veprim konkret”, shtoi ajo. 

-----

Sot do të mbahet përpjekja e 44-t me radhë për konstituimin e legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Kosovës.

Seanca e kaluar, e mbajtur të hënën, vazhdoi me hedhjen në votim të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të fshehtë, me përbërje të njëjtë si në seancat paraprake.

Edhe kësaj radhe, subjektet politike parlamentare nuk propozuan emra të rinj për këtë komision, një situatë që ka përsëritur në vazhdimësi në seancat e kaluara.

Megjithatë, për përbërjen e propozuar të komisionit votuan 55 deputetë, pa vota kundër apo abstenime.

Në mungesë të propozimeve për kandidatë për kryetar të Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari vendosi ta ndërpresë seancën, duke njoftuar se ajo do të vazhdojë sot, më 9 korrik, në ora 11:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat