Dështim pas dështimi - sot i 48-i, nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës

Aktuale

Dështim pas dështimi - sot i 48-i, nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës

Më: 17 korrik 2025 Në ora: 07:33 Përditësuar në ora: 11:53 më 17.07.2025
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi nuk konstituohet përsëri, megjithëse po soset afati i dhënë nga Kushtetuesja

Deputetët kanë dështuar për herë të 48-të të konstituojnë legjislaturën e nëntë. Tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit nuk mori përsëri mbështetjen e partive të tjera politike. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 19 korrik në orën 11:00, raporton KosovaPress.

Kësaj radhe në seancë nuk ishte i pranishëm as lideri i LVV-së, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i cili gjendet në një seminar në Greqi.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por as kësaj thirrje partitë e tjera në Kuvend nuk propozuan emrat, madje të njëjtat kërkuan që kryesuesi t’i kthehet rendit të ditës së dakorduar për votim të hapur.

Madje, në disa momente pati përplasje të ashpra ndërmjet deputetëve të partive që deri tani ishin në opozitë dhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, pasi mori fjalën tha se PDK-ja si parti shtet-forumuese është e vetëdijshme se moti është dashur të ketë institucione të Kosovës.

Qalaj: Moti është dashur të kemi institucione

“PDK-ja si një parti shtet-formuese dhe shtet-ndërtuese është e vetëdijshme se është dashur bukur moti të kemi institucionet e Kosovës. Duke u bazuar se sot është dita e 89 që ne kemi dhënë betimin si deputet”, tha ai.

Por në këtë moment atij iu ndal fjala nga kryesuesi Dehari, pasi sipas tij debatin e ndalon Rregullorja e Kuvendit.

Dehari: Ndaleni mikrofonin

“Ju lutem regjia të ndal mikrofonin. S’ka nevojë për debat. Kështu e kërkon rregullorja”, tha ai.

Por në atë moment, deputeti i PDK-së shkoi te hapësira e kryesuesit duke insistuar të marrë sërish fjalën, derisa disa minuta foli edhe pa mikrofonin të ndezur.

Qalaj: Duhet të formohen institucionet

“Pavarësisht, unë po them se ne është dashur të kemi qysh moti institucione. Është hera e 48-të që po mblidhemi pa ndonjë rezultat. Të dashur qytetarë ne si PDK, duke ditur se qytetarët presin që të miratojmë ligje dhe duke ditur se vendi është pa institucione dhe pa grupe parlamentare, unë si përfaqësues i PDK-së kam dal këtu”, tha ai.

Por, kryesuesi Dehari kërkoi nga ai të liroi foltoren.

Dehari: Liroje foltoren

“Liroje foltoren”, theksoi ai.

Fjalën e mori edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, i cili kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që sipas tij, në krizën më të thellë politike dhe ekonomike në Kosovë shkon në seminare në Greqi.

Zogaj: Kosova në krizë politike dhe ekonomike, Kurti në seminare në Greqi

“Vendi është në krizën më të thellë politike dhe ekonomike. Kurse deputeti Kurti është në seminare”, tha ai.

Ndërkaq, Time Kadrijaj nga AAK-ja duke ironizuar tha se partia e saj e ka emrin për komisionin për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, mirëpo që sot nuk është në seancë, por në Greqi.

Kadrijaj: AAK-ja e ka kandidatin, mirëpo është në pushime në Greqi

“AAK-ja e ka kandidatin, por sot paska shkuar në pushime në Greqi dhe është e pamundshme”, theksoi ajo.

Pro votimit të komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan vetëm 51 deputetë.

Koci i ashpër me deputetët për moskonstituimin e Kuvendit: Sabotim i qëllimshëm

Avokati Arianit Koci, ka kritikuar ashpër deputetët për moskonstituimin e Kuvendit.

Koci ka vlerësuar se në asnjë shtet demokratik nuk ka ndodhur që Kuvendit të mos konstituohet për 48 herë.

Ai deklaroi se ky është veprim apo siç tha sabotim i qëllimshëm.

“Ky nuk është më bllokim – është sabotim i qëllimshëm. Shkatërrim me vetëdije i institucionit më të lartë që përfaqëson popullin. Shkatërrim i shtetit, për interesa personale dhe partiake. Fatkeqësisht, me mosveprim, me mosreagim, bashkëfajtor, tani pas 48 herëve, jemi edhe ne, populli.

Prandaj, une të hënën në ora 11:00, e vazhdoj protestën para Kuvendit”, ka shkruar avokati.

Ish-minatori i Trepçës emocionohet para Kuvendit: Formoni parlamentin, boll e kënaqet serbin

Një qytetar i Mitrovicës, njëherësh ish-minator ka protestuar sot para Kuvendit të Kosovës.

Ai para gazetarëve kërkoi që sa më shpejt të formohet Kuvendi i Kosovës, duke shtuar se ‘mos me jep arsye me kënaq shkaun’.

“Në emër të ish-minatorëve dhe të punëtorëve të kombinatit “Trepça”, me 17 nëntor të vitit 1988, më 16 nëntor kemi marrë vendim me ardhë në këmbë në Prishtinë për të kërkuar të drejtën tonë. Na janë cenuar të drejtat prej shkaut, na morëm vendim me ardhë kamë për Prishtinë. Këtu, janë duke punuar, këtu më kanë burgosur, këtu ku kemi marr vendim për mu nis për Prishtinë. Sot kam vendosur se prej 1260 minatorëve, edhe 217 jemi gjallë. Kam qenë edhe një javë kam kërku, ma kanë refuzu. Vullneti për me e tregu të vërtetën, për çka kemi luftuar”.

“Kërkesa jonë është që ju dhamë votat, ju besuam, mos na e kepërdorni”, tha ai.

Me uniformë të UÇK-së proteston para Kuvendit: Të largohen uzurpatorët për të mundësuar formimin e institucioneve

Një qytetar i Kosovës ka protestuar në heshtje para Kuvendit, pak para nisjes së seancës së 48 konstituive.

I veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky qytetar mbante në duar një pankartë që shkruante: “Të largohen uzurpatorët për të mundësuar formimin e institucioneve shtetërore, dike misur me zgjedhjen e kryetari të parlamentit e në vazhdim”.

Sot po mbahet seanca e parë që nga vendimi i Gjykatës Supreme, ku dhe u tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kabineti i tij po qëndrojnë ilegalisht në postet qeveritare.

Seanca e 48-të me radhë, Qalaj: S’po shoh sinjal për ndryshim

Deputeti i betuar i PDK-së, Rashit Qalaj është deklaruar pak para nisjes së seancës së 48-të konstituive.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të shqetësohen, pasi sipas tij, Kosova është duke humbur shumë.

“Kosova po humb shumë, si në aspektin politik ashtu edhe të ndihmave nga jashtë. Ju e dini që Kosova është duke rrezikuar një fond 900 milionësh nga Plani i Rritjes”, tha Qalaj.

Ai shton se nuk sheh ndonjë sinjal që do të ketë ndryshim në bllokadën e krijuar në politikën vendore.

Derisa për takimin që po flitet mes kryetarit të VV-së Albin Kurti, me kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limaj, Qalaj thotë se duhet të ndodhin.

Sot seanca e 48-të, a do të konstituohet Kuvendi i Kosovës?

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për herë të 48-të në një përpjekje tjetër për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Vazhdimi i senacës konstrituive do të fillon në orën 11:00.

Të martën ka dështuar edhe përpjekja e 4t-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka kërkuar nga subjektet politike që nuk kanë propozuar emër për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që ta bëjnë një gjë të tillë, por si zakonisht ata kanë refuzuar.

Në vend të propozimit, ata në foltore kanë kërkuar nga kryesuesi që t’i kthehet pikës së rendit të ditës, por fjalimet e tyre janë ndërperë nga regjia me kërkesë të kryesuesit, pasi në seancën konstituive nuk lejohet debati.

Në votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë nga 105 deputetë të pranishëm, për votuan 51 deputetë, derisa nuk pati as vota kundër e as abstenim, pasi pjesa tjetër e deputetëve si zakonisht deri më tash, nuk morën pjesë në votim.

Procesi i konstituimit po vazhdon të mbetet i bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, çka ka pamundësuar vazhdimin e rregullt të punës së këtij institucioni për më shumë se katër muaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat